Një nga organizatorët e protestave për mbrojtjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, Çlirim Haziri, ka reaguar pas kthimit të ligjit në Kuvend me kërkesë të PDK-së dhe reagimeve që pasuan këtë zhvillim.
Ai ka thënë se “nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”.
Reagimi i tij i plotë:
Po shoh shumë reagime e akuza pas kthimit të ligjit në Kuvend, prandaj dua ta sqaroj edhe një herë qëndrimin tonë.
Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh.
Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real.
Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai.
Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit. Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje.
Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë.
Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar.
Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë.






