Clinton për 250-vjetorin e ShBA-së: Amerika është në periudhë ndarjesh të thella

- Advertisement -

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka publikuar një deklaratë kritike, por optimiste, për gjendjen e Shteteve të Bashkuara në prag të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.

Clinton e përshkroi momentin aktual si një periudhë “ndarjesh të thella”, ndërsa rikujtoi se themeluesit e ShBA-së, më 1776, nisën një eksperiment politik të pazakontë për kohën.

Në deklaratë thuhet se themeluesit e vendit “nisën një eksperiment radikal dhe shpallën një komb të ri të bazuar në idealin e barazisë”.

Clinton paralajmëroi se, gjatë historisë amerikane, gjithmonë ka pasur forca që kanë synuar të kthejnë prapa zgjerimin e të drejtave dhe lirive.

“Në çdo hap, ka pasur forca që kanë kërkuar të zhbëjnë zgjerimin e të drejtave dhe lirive tona për më shumë njerëz”, thuhet në deklaratë.

Pa e përmendur presidentin Donald Trump me emër, Clinton kritikoi ashpër “ata që janë në pushtet”, duke i akuzuar për përdorimin e pushtetit shtetëror për qëllime politike dhe personale. Ai përmendi “agjentë të maskuar në komunitetet amerikane”, nisjen e një “lufte jokushtetuese” dhe përdorimin e qeverisë “për të zgjidhur hesapet personale, për të ndjekur penalisht kundërshtarët, për të shtypur lirinë e fjalës dhe për ta kthyer qeverinë federale në një burim të ri fitimi për veten dhe aleatët e tyre”.

Sipas Clintonit, këto zhvillime po ndodhin me “ndihmën e të emëruarve të përjetshëm në Gjykatën e Lartë dhe një Kongresi të bindur”.

Megjithatë, ish-presidenti demokrat tha se mbetet optimist për të ardhmen e vendit, duke rikthyer një mesazh nga fjalimi i tij i parë inaugurues më 1993.

“Ende nuk ka asgjë të gabuar me Amerikën që nuk mund të shërohet nga ajo që është e drejtë në Amerikë”, tha Clinton.

Të ngjashme

Të fundit