Çka ndodhi me 135 nxënësit e Kosovës që u ishte premtuar punësim në spitalet e Austrisë?

- Advertisement -

Premtime për praktikë në Austri, punësim pas diplomimit dhe një të ardhme në Evropë. Me këtë narrativë u themelua në Prishtinë Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Austrian School”, e cila brenda dy viteve regjistroi rreth 135 nxënës.

Megjithatë, ende pa diplomuar gjeneratën e parë, bashkëpunimi mes aksionarëve u prish dhe çështja përfundoi në Prokurori e Gjykatë.

Ish-menaxhmenti pretendon se është mashtruar nga bashkëaksionari Kened Baftija, duke thënë se premtimet për praktikë dhe punësim në Austri nuk u realizuan. Sipas ish-zëvendësdrejtorit Edon Ratkoceri, marrëveshjet e premtuara me Holdingun Publik Shëndetësor të Austrisë së Epërme (OÖG) nuk iu prezantuan asnjëherë, ndërsa nxënësit zhvilluan vetëm vizita studimore dhe jo praktikë profesionale, raporton Kiks Kosova.

Nga ana tjetër, OÖG ka bërë të ditur për Kiks Kosovën se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie kontraktuale me shkollën në Kosovë apo me ndonjë kompani kosovare, por vetëm me partnerin e saj kontraktual në Austri. Institucioni konfirmon se janë organizuar vetëm vizita studimore për rreth 20 nxënës dhe se nuk kishte detyrim për punësimin e tyre.

Mosmarrëveshja u thellua edhe për pronësinë e kompanisë. Dokumentet tregojnë se më 3 shkurt 2026, 100 për qind e aksioneve kaluan në emër të Kened Baftijës për 1 mijë euro. Ratkoceri pretendon se bëhej fjalë vetëm për një bartje të përkohshme për sigurimin e një kredie, ndërsa më pas aksionet nuk iu kthyen.

Pjesë e konfliktit është edhe një email, përmes të cilit kërkohej pagesa e 60 mijë eurove për dëmtim të imazhit të OÖG-së. Holdingu austriak ka sqaruar se ai nuk ishte komunikim zyrtar dhe se personi i paraqitur si dërgues nuk ishte më pjesë e institucionit.

Kened Baftija nuk pranoi të flasë para kamerës, por përmes avokatit të tij, Fatbardh Makolli, mohoi pretendimet për mashtrim. Sipas tij, mosmarrëveshja lidhet me menaxhimin e shkollës dhe jo me vepër penale, ndërsa bartja e aksioneve është objekt i një kontesti civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal për mashtrim ndaj Baftijës, duke vlerësuar se rasti paraqet mosmarrëveshje civile dhe afariste. Ndërkohë, në Gjykatën Komerciale vazhdon procedura për anulimin e kontratës së bartjes së aksioneve, ndërsa Baftija ka ngritur padi ndaj Egzon Ratkocerit për shpifje dhe cenim të reputacionit.

Ndërkohë, sipas informacioneve të siguruara nga Kiks Kosova, ditëve të fundit disa prindër janë paraqitur në shkollë për të kërkuar dokumentacionin e fëmijëve me qëllim transferimin e tyre në institucione të tjera arsimore, por pretendojnë se dokumentet ende nuk u janë dorëzuar.

Ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje: 

Ndiqeni emisionin e plotë: 

Të ngjashme

Të fundit