Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, tha se partia ka ecur në “teh të shpatës” që kur Thaçi dhe të tjerët janë në Hagë.
Ajo shprehu besimin dhe shpresën për një verdikt pozitiv nga Gjykata e Hagës, duke theksuar se PDK ka vepruar me kujdes dhe konsultime të vazhdueshme me avokatët për çdo hap të mundshëm gjatë kësaj periudhe.
“Si PDK, prej kur ata janë në Hagë, kemi ecur në teh të shpatës, ndonjëherë çka kemi dashur e çka na ka thënë zemra të bëjmë, nuk ka qenë gjëja më e mençur e më e duhur për ata që kanë qenë atje në Hagë. Është dashur të jemi shumë të kujdesshëm, shumë të vëmendshëm, çdo hap është dashur ta konsultojmë me avokatët, sepse çdo gjë që kemi thënë dhe bërë ka mundur të përdoret nga Prokuroria”, tha Çitaku.
Ajo shtoi se nga 19 maji deri më 19 korrik janë afatet deri kur Gjykata duhet të dalë me një vendim. “Unë sigurisht që besoj në një verdikt pozitiv për secilin prej tyre. Dhe po besoj e shpresoj që të kthehen në Kosovë”, u shpreh Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.






