Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje t’i ndërpresë manovrat lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Çitaku, në një konferencë për media, tha se në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit.
“Ne si subjekt politik opozitar do t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime karateje të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvendi i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, theksoi ajo.
Çitaku shtoi se Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja e Kuvendit të Kosovës nuk mund të interpretohen sipas interesit ditor politik.
“Kur një kryeministër, lider politik zgjedhë me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik edhe për vetë themelet e shtetit”, tha më tej ajo.
Po ashtu, Çitaku e ftoi të nominuarën për Presidente, Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe vet personalitetin e saj.
“Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike. Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqëri civile, mirëpo sot nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është të largohet nga kjo garë”, theksoi Çitaku






