Nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku, ka vlerësuar lart figurën e Kimete Kodrës, bashkëshortes së heroit Ilaz Kodres, duke e cilësuar atë si një heroinë të gjallë dhe simbol të sakrificës, raporton Scanner.
Sipas saj, Kimetja, si gruaja e një komandanti dhe motra e një dëshmoreje, vazhdon të qëndrojë e fortë dhe me dinjitet, pa ankesa, përkundër sfidave të jetës.
Çitaku theksoi se ajo, ndonëse e vetme, arriti t’i rrisë dy vajzat e Ilazit, Sumejën dhe Krenaren, me përkushtim dhe krenari për rrugën e babait të tyre drejt lirisë.
“Sumeja dhe Krenarja janë dëshmia më e gjallë se sakrifica nuk humbet, ajo jeton dhe vazhdon dinjitetshëm”, është shprehur ajo.
Në fund, Çitaku nënvizoi se Kimete Kodra nuk kërkoi asgjë për vete, por meriton respekt, nderim dhe mirënjohje të përhershme.
Postimi i plotë:
Kimete Kodra, gruaja e një komandanti dhe heroi, motra e një dëshmoreje, vetë një heroinë e gjallë.
Ajo qëndron edhe sot drejt. Pa ankesa. Me një dinjitet që flet më shumë se çdo fjalë.
E vetme, por kurrë e thyer, i rriti dy vajzat e Ilazit, me ngrohtësinë e një nëne dhe me krenarinë për babain e tyre, që ndër të parët mori rrugën e lirisë.
Sumeja dhe Krenarja janë dëshmia më e gjallë se sakrifica nuk humbet, ajo jeton, rritet dhe vazhdon dinjitetshëm.
Kimetja nuk kërkoi asgjë për vete. Por sot, ajo meriton gjithçka nga ne: respektin, nderimin dhe mirënjohjen e përhershme.
Heroinë ❤️






