Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se qytetarët kanë nevojë për zgjidhje konkrete dhe jo për “goditje” politike ndaj opozitës.
Ajo ka renditur një sërë problemesh me të cilat, sipas saj, përballen qytetarët, duke përmendur pensionet e ulëta, pagat e mësuesve, mungesën e barnave dhe kushteve në shëndetësi, si dhe nevojën për sigurim shëndetësor për policët dhe integrimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në NATO.
Çitaku ka kritikuar edhe qasjen e qeverisë ndaj bizneseve dhe mediave, duke theksuar se vendi ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe liri të medias, e jo për propagandë dhe “armiq imagjinarë”.
Postimi i plotë:
Pra, Kurti thotë se opozita paska nevojë për një “goditje” të re.
Sinqerisht, marre po më vjen për ty.
Harroje opozitën për një moment.
A e din për çka kanë nevojë qytetarët?
Pensioneri ka nevojë për pension dinjitoz, që të mos detyrohet të zgjedhë mes barnave dhe ushqimit.
Mësuesja ka nevojë për pagë që ia mundëson ta kalojë muajin me dinjitet.
Mjeku ka nevojë për barna dhe kushte për t’i trajtuar pacientët.
Polici ka nevojë për sigurim shëndetësor, uniformë e jetë dinjitoze.
Shërbyesit civilë kanë nevojë për kushte pune, jo për terror qeveritar.
FSK ka nevojë për integrim në NATO.
Bizneset kanë nevojë për qeveri që ua mundëson zhvillimin, jo që i lufton.
Mediat kanë nevojë për liri.
Këto janë hallet e qytetarëve.
Jo propaganda, jo armiqtë imagjinarë, jo “goditjet” politike.
Keq, Albin. Keq.






