Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-lideri i UÇK-së, Hashim Thaçi është paraqitur sot para Gjykatës Speciale për shkak të aktakuzës së re, të ndryshuar, të cilën Prokuroria e Specializuar e ka dorëzuar së fundmi në gjykatë.
Thaçi ka thënë se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, por tri herë është deklaruar i pafajshëm.
“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi me i lexuar sepse janë shumë të redaktuara”, ka thënë ai fillimisht.
Gjykatësi Nicolas Guillou, i ka thënë se nuk ka nevojë të deklarohet menjëherë rreth pafajësisë, por Thaçi ka përsëritur deklarimin e tij.
“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën s’e kam lexuar, sepse s’e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, ka thënë ish-presidenti Thaçi.
Sipas rregullores, Thaçi ka kohë 30 ditë për t’u deklaruar rreth akuzave, por gjykatësi Guillou i ka thënë atij se “nëse dëshironi mund ta bëni këtë vetëdeklarim tani”.
Thaçi e ka marrë fjalën sërish, për t’u deklaruar i pafajshëm për të tretën herë në këtë seancë paragjyqësore.
“Z. gjyqtar, e theksova edhe njëherë, amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, është shprehur.