20.9 C
New York
Wednesday, April 17, 2024

Buy now

Çfarë kërkon ekonomia gjermane?

- Advertisement -

Situata në industri, zejtari dhe ekonomi është jashtëzakonisht kritike për shkak të burokracisë së panevojshme, taksave të larta dhe energjisë së shtrenjtë, sipas shoqatave të mëdha ekonomike gjermane.

Megjithë krizat aktuale, Gjermanisë sërish i duhet një strategji afatgjatë për të mbetur e suksesshme në nivel global, tha presidenti i Federatës së Industrisë Gjermane (BDI), Siegfried Russwurm, përpara takimit tradicional të nivelit të lartë të katër shoqatave kryesore ekonomike gjermane me Kancelarin Olaf Scholz në Panairin e Artizanatit në Mynih.

“Kostot e energjisë janë ende të larta. Por ne gjithashtu duhet të luftojmë një furi rregullatore që shpesh do të thotë se ne shkruajmë më shumë letër sesa lëvizim në të vërtetë”, tha Russwurm.

Gjermanisë i mungojnë zejtarët. Për të inkurajuar të rinjtë që të ndjekin një trajnim, shoqatat bëjnë një punë bindëse gjatë panairit në Mynih.

Russwurm: “Sillini taksat në mesataren evropiane”

Në të njëjtën kohë, Gjermania ka taksat më të larta në botë, gjë që “i sjell vështirësi” aftësisë së përgjithshme për konkurrencë të industrisë. Inflacioni i lartë gjithashtu dëmton.

Lidhur me politikën e qeverisë federale për krizën, Russwurm shpjegoi se “ne ia dolëm shumë mirë së bashku, si në pandemi ashtu edhe në plan afatshkurtër për pasojat e luftës së rusëve në Ukrainë”. Por kjo nuk mjafton për sa i përket perspektivës, kërkohet një furnizim i sigurt me energji, reduktim i burokracisë dhe ulje e dukshme të taksave: “Nëse ne të paktën do të arrinim t’i ulnim taksat në Gjermani në një vlerë mesatare të Evropës, edhe kjo do të ndihmonte shumë”, tha Russwurm.

Organizatat e punëdhënësve: Situata ekonomike është “e vështirë”

Edhe presidenti i Federatës së Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë, Rainer Dulger, e cilësoi situatën ekonomike në Gjermani si “të vështirë”. Çdo rritje e tarifave sociale do të ishte një “sinjal i keq”.

Kryetari i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) Peter Adrian tha: “Gjithçka duhet të vazhdojë të bëhet për të siguruar konkurrencën ndërkombëtare të ekonomisë gjermane, për të arritur dekarbonizimin e ekonomisë dhe për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar”.

Takimi tradicional i samitit mes kancelarit dhe katër shoqatave kryesore të ekonomisë gjermane zhvillohet çdo vit në Panairin e Artizanatit në Mynih. Shoqatat ekonomike paraqitën një deklaratë të përbashkët ku përmbledhin situatën dhe kërkesat e tyre.

“Humbja e vlerës së shtuar industriale nuk është më një rrezik teorik. Ajo tashmë po ndodh”, thuhet në deklaratën prej dy faqesh. Kjo është arsyeja pse nevojitet për sipërmarrjet, “përtej përballimit thjesht të krizës”, një perspektivë për kompanitë “që të jep guxim”.

Shoqatat ekonomike gjermane ndër të tjera kërkojnë që “barra tatimore për sipërmarrjet kapitale të reduktohet “sa më shpejt të jetë e mundur” në një nivel konkurrues ndërkombëtar; ato kërkojnë që të përshpejtohen procedurat e planifikimit dhe autorizimit; përveç kësaj, nevojiten modele më të zhdërvjellta të kohës së punës dhe kohë maksimale javore të punës. Një kërkesë tjetër është një rregullore moderne për kohën e pushimit dhe procedura dukshëm më të shpejta për imigracionin për motive punësimi./DW/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit