18.1 C
New York
Sunday, June 8, 2025

Buy now

Caktohen afatet për mocionin e rrëzimit të akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, vendimi në mes të korrikut

Ekipet e mbrojtjes duhet të paraqesin mocionin e përbashkët deri më 12 qershor, ndërsa Prokuroria të dorëzojë përgjigjen deri më 7 korrik, duke e zbritur afatin për Kimberly West dhe ekipin e saj për të dërguar përgjigjet për ekipet mbrojtëse, sipas një vendimi të fundit të Trupit Gjykues në çështjen e Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tjerë.

Ky mocion lidhet me kundërshtimet e mundshme për vazhdimin e procesit apo me kërkesa të tjera procedurale nga ana e mbrojtjes. Ndryshimi i afatit për Prokurorinë erdhi nga vetë Trupi Gjykues.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur gjithashtu se synon të marrë një vendim mbi mocionin në javën që fillon më 14 korrik.

“Më 5 qershor 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi ​​një urdhër të rishikuar lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë procedurë. Në vendimin e tij më të fundit mbi pranimin e provave të ZPS-së, të dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 29 maj të këtij viti, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në vendimin e sotëm, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, proprio motu (me iniciativën e vet), të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e ZPS-së më 7 korrik.” – thuhet në njoftim.

Në rast se mocioni i mbrojtjes refuzohet, qoftë plotësisht apo pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave do të duhet të jetë i gatshëm të thërrasë dëshmitarët e tij që më 16 korrik. Po atë ditë, ekipet e mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse do të paraqesin provat e tyre në vazhdim.

Gjithashtu, Trupi Gjykues ka planifikuar që Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes të zhvillohet në javën që fillon më 21 korrik.

“Trupi Gjykues theksoi se aktualisht synon të nxjerrë vendimin e tij sipas rregullës 130 në javën që fillon më 14 korrik. Nëse Trupi Gjykues e refuzon mocionin e Mbrojtjes sipas rregullës 130 tërësisht ose pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tij më 16 korrik, ndërsa ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik. Për më tepër, Trupi Gjykues aktualisht synon të mbajë Konferencën Përgatitore të Mbrojtjes në javën që fillon më 21 korrik.“– thuhet më tej.

Fillimisht, kishte qenë e planifikuar që mbrojtja e krerëve të UÇK-së ta dorëzonte mocionin për rrëzimin e akuzave, deri më 2 qershor. Megjithatë, në seancë e para disa javëve ishin lënë të hapura dy opsione: ose 2 qershori, ose dy javë pas pranimit të provave të fundit materiale.

Avokatët patën kritika të mëdha për provat e fundit që i dorëzoi Prokuroria. Në një parashtresë për gjyqtarët, avokatët kanë thënë se prej 31 marsit deri më 15 prill 2025, janë dorëzuar mbi 500 dokumente. Sipas avokatëve, këto dokumente nuk kanë vlerë provuese, dhe qëllimi i Prokurorisë ka qenë vetëm për ta komplikuar gjithë rastin.

“Mocioni, i cili u paraqit një ditë para se Prokuroria të mbyllte çështjen e saj, ofron 195 dokumente të mbetura, duke rritur më tej numrin tashmë të madh të dokumenteve të paraqitura pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Prokurorisë. Në vend që të kërkonte pranimin e synuar të provave diskrete, Prokuroria përpiqet të mbushë dosjen me dokumente me dobi të dyshimtë. Kjo e mbingarkon dosjen e çështjes”, thuhet në dokument, raporton Nacionale.

Të ngjashme

Të fundit