Cakolli: Seanca më 6 gusht veprim i vonuar, rrezikon ta lërë Kosovën pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga KDI, ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit më 6 gusht, duke e cilësuar atë si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm.

Cakolli ka thënë se shqetësimi më i madh lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, i cili sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese fillon të rrjedhë nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, nëse seanca mbahet më 6 gusht, atëherë 7 gushti do të jetë dita e parë e këtij afati, ndërsa 5 tetori dita e 60-të dhe e fundit për zgjedhjen e Presidentit.

Cakolli ka paralajmëruar se kjo mund të krijojë një situatë të paprecedentë, pasi më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit.

“Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar”, shkruan ai.

Sipas Cakollit, në një skenar të tillë Kosova mund të mbetet njëkohësisht pa Kuvend funksional dhe pa ushtrues detyre të Presidentit.

“Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër”.

Cakolli ka kritikuar gjithashtu mungesën e dialogut politik, duke theksuar se koha që është lënë në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon pa ndonjë marrëveshje dhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërmjet partive politike.

Të ngjashme

Të fundit