Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar me ironi ndaj situatës me furnizimin me energji elektrike, duke kritikuar njëkohësisht mungesën e llogaridhënies së pushtetarëve.
Përmes një postimi, Cakolli ka kujtuar paralajmërimet për një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji, duke theksuar se vendi është ende në vjeshtë.
“More, fjalët kenë që DIMRI ka me qenë i vështirë sa i përket furnizimit me rrymë. Ama na jemi hala në vjeshtë?!”, ka shkruar ai.
Cakolli ka ngritur pyetjen nëse kjo situatë është vetëm një paralajmërim për atë që mund ta presë vendin gjatë muajve të ardhshëm.
Ai ka ironizuar edhe me arsyetimet që përgjegjësinë për problemet e brendshme ua atribuojnë zhvillimeve ndërkombëtare.
“Mos është kjo veç parapërgatitje për çka na pret ma tutje? Apo mos lidhet me ndonjë krizë globale, se edhe ashtu, zakonisht fajin e kanë zhvillimet diku tjetër në botë.”
Cakolli e ka drejtuar kritikën te pushtetarët, duke e krahasuar vështirësinë e furnizimit me energji elektrike me mungesën e llogaridhënies së tyre.
“Nejse, deri kur ka me vazhdu me qenë edhe llogaridhënia e pushtetarëve kaq e vështirë sa furnizimi me rrymë?”, ka përfunduar ai.






