14.6 C
New York
Wednesday, April 24, 2024

Buy now

Byrnes për komunikatën 63: Dokument politik që synon ta vendosë në pozitë të favorshme Shtabin e UÇK-së

- Advertisement -

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ai të enjten është pyetur nga trupi gjykues për një komunikatë që pretendohet se është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe mban numrin 63 dhe datën 27 nëntor 1998.

Byrnes ka thënë se këtë dokument nuk e kishte parë më herët përveç së fundi në Hagë. Sipas tij, ky ishte një dokument politik që ta vendoste në pozitë të favorshme Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Unë mund të ju them këto; në thelb ky është dokument politik i cili ka për synim ta vendos në pozitë shumë të favorshme Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në sytë e ndërkombëtarëve. Në veçanti për misionin e OSBE-së që ishte duke u krijuar. Unë jam i bindur që amnistia që ka dekretuar Shtabi i Përgjithshëm për dy gazetarët e Tanjugut ka qenë si rezultat i presionit që iu është bërë Trojkës dhe përmes Trojkës, Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar ai.

I pyetur nga gjyqtari Guénawl Mettraux se a thuhet në këtë dokument që Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur për lirimin e gazetarëve të Tanjugut dhe dy aktivistëve të LDK-së, dëshmitari ka pohuar një gjë të tillë.

“Kështu thuhet në dokument”, ka deklaruar Byrnes, duke shtuar se sipas dokumentit ky lirim kishte ndodhur sipas një amnistie.

Ndërsa, në dokumentin që u bë publik edhe për audiencën, thuhej se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në nder të festave të nëntorit, ka vendosur që t’i amnistojë një numër të burgosurish, në mesin e tyre edhe dy gazetarët e Tanjugut.

“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për nder të festave të nëntorit vendosi t’i amnistojë një numër të të burgosurish në mesin e tyre dy gazetarët e Tanjugut dhe dy aktivistët e LDK-së nga Malisheva. Gazetarëve ju ndërpre vuajtja e dënimit, kurse aktivistëve të LDK-së, iu ndërpritet paraburgimi, por hetimet iu vazhdojnë”, thuhej në dokument.

Tutje, në këtë dokument thuhej se lirimi i të lartpërmendurve bëhet më 27 nëntor 1998 në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Lirimi i të përmendurve bëhet më 27 nëntor 1998, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. E bëjmë këtë për të dëshmuar edhe njëherë se ashtu si nuk e kemi dëshiruar luftën që na është imponuar, nuk i duam as burgjet e as të kemi të burgosur. Jemi për paqen aq sa jemi të vendosur për lirin dhe pavarësinë e popullit dhe atdheut tonë. Me këtë akt, si edhe me aktet tjera të ngjashme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po dëshmon se njeh dhe respekton konventat ndërkombëtare të luftës e të paqes, se njeh dhe respekton mekanizmat relevante të bashkësisë ndërkombëtare dhe të BE-së. Por, kërkon nga faktorët në fjalë që detyrojnë regjimin e Beogradit që t’i respektojë konventat ndërkombëtare dhe luftës e paqes”, thuhej në dokument. / Betimi për Drejtësi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit