Buja pyet Abdixhikun: Si nuk arritët ta njihnit Imri Ahmetin, kur ai kishte mashtruar edhe figura të mëhershme të LDK-së?

- Advertisement -

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka komentuar situatën aktuale në LDK, bashkë me kërkesën e LDK-së në Lipjan për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut.

Në një deklarim publik, Buja ka komentuar një deklaratë të Abdixhikut, i cili pohoi se si kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, ashtu edhe atë të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka ndihmuar dhe përkrahur edhe me marrëveshje politike jo-publike.

“Si shpjegohet që në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, VV merr mbi 16 mijë vota, ndërsa LDK rreth 6 mijë, kurse kur vijnë zgjedhjet lokale pothuajse vetëm ndërrohen vendet: LDK merr rreth 15 mijë vota, ndërsa VV rreth 5 mijë apo edhe më pak” u shpreh Buja, duke ngritur dyshimet e tij.

Sipas tij, Ahmeti kishte mashtruar shumë njerëz me premtime, teksa shumë personalitete i ka përdorur për politikë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Z.ABDIXHIKU, me kë kishte Imri Ahmeti marrëveshje politike të fshehta në Lipjan: me Vetëvendosjen apo me Listën Srpska!?

Një thënie popullore thotë: “Nxjerr një kashtë e dalin gjashtë!”

Lumir Abdixhiku, në deklaratat e tij për mashtrimin nga Gazi dhe Imriu, pa dashur nxori një “kashtë”:

“Ju kam ndihmuar dhe përkrahur edhe me marrëveshje politike jo publike…”

Por pyetja që kërkon përgjigje është: në Lipjan, me cilën parti ishin ato marrëveshje jo publike? Cilat ishin ato marrëveshje? Me kë u bënë? Kush përfitoi prej tyre? Dhe pse duhej të mbeteshin të fshehta?

Gjithmonë kam dyshuar!

Ishte e çuditshme pse VV nuk kandidoi figura të saj si Adnan Rrustemi apo Vlora Hajnuni, por një kandidat që nuk ishte pjesë e strukturave të VV-së dhe vinte nga një familje tradicionalisht votuese e PDK-së.

Si shpjegohet që në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, VV merr mbi 16 mijë vota, ndërsa LDK rreth 6 mijë, kurse kur vijnë zgjedhjet lokale pothuajse vetëm ndërrohen vendet: LDK merr rreth 15 mijë vota, ndërsa VV rreth 5 mijë apo edhe më pak.

Rastësi apo diçka që ende pret shpjegim?

Z.Abdixhiku, si nuk arritët ta njihnit Imri Ahmetin, kur ai kishte mashtruar edhe figura të mëhershme të LDK-së, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror?

Një njeri që kishte mashtruar edhe Fatmir Sejdiun e Isa Mustafën.

Në Lipjan dihet se shumë bashkëpunëtorë politikë të tij janë larguar me kalimin e viteve, madje edhe njerëz që kanë kontribuar në themelimin e LDK-së në këtë komunë dhe që kanë qenë ndër më meritorët për fitoret e tij.

A nuk e ke ditur sa njerëz ka mashtruar me premtime se do t’i bëjë funksionarë në komunë në çdo palë zgjedhje?

A nuk e ke ditur sa personalitete të fuqishme politiko-ushtarake nga Lipjani i ka përdorur për interesin e tij derisa u bë kryetar?

A nuk e ke ditur se në çdo palë zgjedhje, me projekte për banesa, ka mashtruar edhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, ndonëse më parë i kishte fyer duke pretenduar se ishin abuzues me fëmijë gjatë luftës?

E ke ditur mirë, Lumir. Por financat që vinin për LDK-në nga Lipjani të yshtën drejt marrëveshjeve jo publike.Në fund, u mashtrove edhe vetë.

Po ta rikujtoj, meqë je shumë i ri:

Përveç këtyre dy palë zgjedhjeve parlamentare, ku PDK doli në vend të dytë, ndërsa LDK në të tretin, Shukri Buja e ka mposhtur LDK-në në gjashtë raunde zgjedhjesh lokale, si dhe tri herë në zgjedhjet parlamentare (2007, 2010 dhe 2014), ku PDK ka dalë forcë e parë në Lipjan.

Rezultatet e PDK-së në Lipjan dhe në Kosovë nuk janë rastësi. Ato lidhen me një elektorat shumë besnik, që nuk blihet e nuk shitet dhe që i ruan bindjet e veta politike e atdhetare

Të ngjashme

Të fundit