9.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Brestovci thotë se largimi i qenve endacakë nga QKUK do bëhet deri në mars

- Advertisement -

Një tjetër rast i sulmit nga qentë endacakë ka ndodhur brenda hapësirave të QKUK-së duke shënuar ngritje të këtyre rasteve. Komuna pati deklaruar një muaj më parë se zgjidhja e këtij problemi ishte çështje ditësh ndërsa të premten, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thonë se kjo detyrë e marrë përsipër do marrë kohë deri në mars të vitit të ardhshëm. Nga Komuna kanë kërkuar përfshirje më të lartë të nivelit qendror.

“Në QKUK, besoj që brenda javës, do e pastrojmë komplet nga qentë”.

Ky ishte deklarimi i Drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovcit në fillim të muajit të kaluar, me rastin e sulmit të qenve endacakë ndaj dy personave.

Por një muaj më vonë, brenda po të njëjtave hapësira ku vazhdon qëndrimi i qenve endacakë, është sulmuar edhe një grua.

Gjersa po e vazhdon trajtimin në Klinikën Infektive, gjendja e saj mbetet stabile.

Por shqetësimi i qytetarëve vazhdon të jetë prezent.

Qytetarët kanë deklaruar prapa kamerave se kanë qenë prezent në momentin kur qentë janë lënë nga qytetarët me vetura. Ata thonë se ndjehen të rrezikuar nga qenët endacakë, numri i të cilëve po shtohet çdo ditë.

Nga komuna thonë se këtë ua kanë thënë edhe nga menaxhmenti i QKUK-së gjersa thonë se veprimet për kapjen e tyre, i kanë nisur tek sot në katër të mëngjesit.

“Ne nuk mbajmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për hapësirat e QKUK-së mirëpo kemi ofruar bashkëpunim sepse kemi parë se sa shqetësuese është gjendja…Kemi vendosur që, që nga sot të bëjmë kapjen e qenve endacakë brenda QKUK-së. Sipas prognozave të QKUK-së, diku janë rreth 60-100 qen. Sot kemi filluar me intervenime nga orët e hershme të mëngjesit sepse intervenimet bëhen nga ora 4 e mëngjesit. Janë kapur 12 qenë”, ka thënë Brestovci.

Nga “brenda javës”, Brestovci tani ka deklaruar se largimi i tyre do marrë kohë deri vitin e ardhshëm.

“Deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, do t’i kemi të larguar së paku 1300-1500 qen. Mendoj që ky numër është më i madh por me largimin e tyre do kemi një gjendje tjetër. Do kemi më shumë siguri dhe imazh më të mirë për kryeqytetin por sigurisht, edhe qentë që do dërgohen në strehimore do kenë mundësi ta kalojnë jetën në formë shumë më humane”, ka shtuar Brestovci.

Numrin e qenve të kapur Brestovci e arsyeton me kohën e limituar të aksionit gjersa thekson se ky i fundit, do të vazhdohet deri të largohet qeni i fundit nga hapësira e QKUK-së.

Aksionin gjatë ditës e ka lavdëruar edhe Kryetari, Përparim Rama i cili ka kërkuar përfshirje më të lartë nga niveli qendror në zgjidhjen e çështjes.

Këtë vit sipas një reagimi të SHSKUK, nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 112 raste të sulmit të qenëve endacakë vetëm brenda hapësirave të QKUK-së ndërsa vitin e kaluar, 84./Tv Dukagjini/

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit