Brenda nëntë muajve, inflacioni hëngri një të pestën e rritjes së pagës minimale

- Advertisement -

Më 1 korrik, ditën kur 500 eurot e pagës minimale hynë në fuqi, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk humbi rastin. Në Facebook, u mburr: “Për më pak se gjysmë dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale.”

Pesëqind euro bruto, 150 mijë përfitues, urime për të gjithë. Fitore e shpallur nga një qeveri që, për dy vjet e gjysmë, e mbajti pagën minimale të ngrirë, teksa çmimet u rritën pothuajse eksponencialisht.

Që nga qershori, inflacioni vjetor është ngjitur nga 6 në 7,8 për qind. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë atë që postimi i Kurtit nuk e tha: sa vlen në të vërtetë rritja.

Nga dhjetori 2025 deri në shtator 2026, çmimet e konsumit u rritën rreth 6 për qind, sipas Indeksit të Harmonizuar të ASK-së. Urimi erdhi në korrik; shtrenjtimi kishte nisur që në janar.

Në shtator, inflacioni vjetor arriti 7,8 për qind, nivelin më të lartë që nga shkurti 2023.

Llogaria, e thjeshtë

Nga 350 euro, paga minimale u ngrit në 500. Por, me çmimet e dhjetorit, 500 eurot e shtatorit vlejnë vetëm rreth 471 euro.

Pra, inflacioni ka gëlltitur afro 29 euro, pothuajse një të pestën e rritjes së reklamuar nga Kurti.

Për më tepër, llogaria nuk e përfshin as për së afërmi goditjen e mëhershme të fuqisë blerëse gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Rritja e pagës minimale erdhi pas viteve të shtrenjtimit enorm të kostos së jetesës.

Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e rritjes së shumë trumpetuar nga Kurti vitin e kaluar shërbeu për të kompensuar humbjet e mëparshme, jo domosdoshmërisht për të krijuar mirëqenie të re.

Madje, krahasuar me shtatorin e kaluar, kur paga ishte ende 350 euro, inflacioni ka zhvlerësuar rreth 36 euro nga rritja nominale prej 150 eurosh.

Kjo përbën pothuajse një të katërtën e përfitimit të shpallur.

Faza e parë e rritjes, nga 350 në 425 euro, humbi rreth 16 euro nga 75 eurot shtesë deri në qershor.

Faza e dytë humbi edhe 11 euro të tjera brenda vetëm tre muajve.

Një nga goditjet më të rënda për xhepin e qytetarëve vjen nga karburantet.

Transporti u shtrenjtua 23,9 për qind brenda vitit, ndërsa karburantet për automjetet private plot 50,8 për qind.

Sipas çmimeve mesatare të ASK-së, një litër naftë kushtonte 1,19 euro në shtator 2025. Në shtator 2026, çmimi arriti në 1,89 euro.

Me pagën minimale prej 350 eurosh, një punëtor mund të blinte rreth 294 litra naftë. Me 500 eurot e sotme, vetëm 265 litra.

Pra, megjithëse paga minimale u rrit rreth 43 për qind, punëtori blen afërsisht 10 për qind më pak naftë se një vit më parë.

Situata nuk është aspak më e mirë te shpenzimet e domosdoshme të jetesës.

Strehimi dhe energjia u shtrenjtuan 11,9 për qind në vit. Lëndët djegëse të ngurta, përfshirë drurin, 18,2 për qind. Uji dhe shërbimet e banesës, 32,7 për qind.

Pikërisht përballë kësaj goditjeje, Qeveria Kurti kishte edhe një mundësi tjetër: uljen e barrës fiskale mbi karburantet.

Por më 10 prill, nisma e opozitës për uljen e taksave mbi naftën dështoi pa votat e Vetëvendosjes.

Akciza mbeti 36 centë për litër, ndërsa TVSH-ja 18 për qind.

Maqedonia e Veriut, ndërkohë, veproi ndryshe. E uli TVSH-në për naftën nga 18 në 10 për qind dhe e zgjati masën deri në nëntor.

Qeveria Kurti zgjodhi çmimin tavan të ministrisë dhe pakon kundër inflacionit 2.0, me pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistë, fëmijë, studentë dhe punëtorë privatë.

Ekzekutivi fajësoi opozitën për bllokimin e rishikimit buxhetor, që do të mundësonte financimin e plotë të pakos.

Megjithatë, opozita ishte e gatshme të votonte uljen e taksave mbi naftën, munguan votat e partisë së Kurtit.

Kalendari i rritjeve

Vendimi u mor më 31 tetor 2025, nga një qeveri në detyrë, vetëm 58 ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Pak ditë para atij votimi, Kurti rikujtoi se “brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”.

Faza e dytë, ajo e 500 eurove, hyri në fuqi vetëm 24 ditë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Kështu, rritja e pagës minimale u shndërrua edhe në një nga argumentet politike të Kurtit. Por shtrenjtimi i jetesës vazhdoi ta zvogëlonte vlerën e saj reale.

Kujtojmë se rritja e pagës minimale është bruto, ndërsa përfitimi neto ndryshon pas kontributeve dhe tatimit. Po ashtu, shporta e ASK-së nuk përputhet domosdoshmërisht me shpenzimet e një familjeje me pagë minimale.

Për familjet me të ardhura të ulëta, ku ushqimi dhe energjia zënë një pjesë më të madhe të buxhetit, goditja mund të jetë edhe më e rëndë. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit