Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka pranuar konfirmimin për përfshirjen në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore – Eurosystem Repo Facility for Central Banks (EUREP), i themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas BQK-së, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit financiar të Kosovës.
“Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të kornizës së BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro. Ai shton një shtresë të re qëndrueshmërie për sistemin financiar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
BQK-ja ka bërë të ditur se kjo marrëveshje shënon kalimin nga një marrëveshje e kufizuar për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro drejt një kuadri më të avancuar për bankat qendrore jashtë zonës së euros.
“BQK aktualisht ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, të vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në kornizën e avancuar EUREP përfaqëson kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe kohë drejt kornizës së përhershme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros”, thuhet më tej në njoftimin e BQK-së.
Më tej, BQK-ja ka bërë të ditur se, në kuadër të kornizës së avancuar EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro.
“Kapaciteti maksimal i një linje individuale në kuadër të kësaj kornize mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave të zbatueshme dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit”, thuhet më tej në reagim.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, e ka konsideruar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar në Kosovë.
“Guvernatori z. Ahmet Ismaili e mirëpriti këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme në forcimin e mëtejmë të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës”, thuhet më tej në njoftimin e BQK-së.
Shuma e disponueshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje, sipas BQK-së, do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm, brenda limitit të përgjithshëm të përcaktuar nga BQE.





