Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore ka njoftuar se ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit, i cili do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, BQK-ja ka treguar qëllimin e këtij udhëzimi.
Sipas njoftimit, udhëzimi në fjalë përcakton rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës.
“Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave. Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve. Adoptimi i këtij standardi është pjesë e aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra në fushën e pagesave, në kuadër të strategjisë së BQK-së për ndërtimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës për pagesat me vlerë të vogël. Kjo përfshin edhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullative si dhe modernizimin e infrastrukturës, me qëllim sigurimin e një sistemi të sigurt, efikas dhe konkurrues për pagesat në vend”, është thënë në komunikatën e BQK-së.
BQK-ja ka bërë me dije se ky është standard nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC).
“BQK ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta. Ky standard pritet të përdoret gjithashtu nga vendet e rajonit në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, është thënë në komunikatë.