Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me heshtjen e saj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Dje, Kosova u trondit. Donika Gërvalla heshti”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka kritikuar Gërvallën për qëndrimet e saj të mëhershme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke kërkuar nga ajo të dalë publikisht dhe të sqarojë qëndrimin e saj.
“Pikërisht kur udhëheqësit e UÇK-së morën dënime drakonike, ministrja e Drejtësisë mbeti pa zë”, ka shkruar Deliu.
Deliu ka pyetur nëse heshtja e Gërvallës nënkupton miratim të aktgjykimit dhe ka kërkuar që ajo t’u përgjigjet qytetarëve.
“Donikë, dil para qytetarëve dhe përgjigju: a të shqetëson ky aktgjykim, apo heshtja jote është miratimi që nuk guxon ta shqiptosh publikisht? Ti përfaqëson drejtësinë e Republikës së Kosovës, Republikës së lindur nga lufta e UÇK-së. Kosovës nuk i ke borxh heshtje. I ke borxh përgjigje! Heshtja nuk të mbrojti. Nuk të fshehu. Të demaskoi!”, ka shkruar Deliu.






