Analisti politik, Blerim Latifi, tha se protestat masive pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk ndodhën si rezultat i thirrjes për miratimin e ligjit në Kuvend për Gjykatën Speciale, por se ato shpërthyen nga mllefi spontan ndaj vendimit të 16 shtatorit.
Pastaj, thotë Latifi, dikush u kujdes që gjithë ai mllef të kanalizohej në presionin për miratimin e ligjit të sponsorizuar nga PDK-ja.
“Masa u bind se kjo ishte rruga e duhur për t’u ardhur në ndihmë ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar nga një gjykatë politike në thelb dhe në frymë. Dhe, kur kjo u arrit, protestat ndaluan. Kthimi i ligjit në Kuvend tani po përjetohet si tradhti ndaj protestave dhe është e qartë se çmimin për këtë do ta paguajë PDK-ja”.
Latifi thotë gjithashtu se ky veprim e ka dëmtuar radikalisht mundësinë që opozita të mobilizojë protesta të reja.
“Kjo, në fund të fundit, do të ndikojë që pushteti i Kurtit të konsolidohet në nivele të papara deri më tani. Opozita në Kosovë, me përjashtim të Aleancës, është kthyer në avantazhin kryesor të Kurtit”.
“Mirëupafshim në vitin 2030!”.






