Botë

Bideni: Lufta përfundon kur Hamasi të mos ketë më kapacitet për të vrarë e abuzuar izraelitë

By GAZETA SCANNER 1

November 16, 2023

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, edhe një herë u rreshtua me pozicionin e Izraelit rreth kohëzgjatjes së luftës kundër Hamasit, duke thënë se ky shtet mund t’i vazhdojë luftimet derisa ta arrijë qëllimin që t’ia eliminojë aftësinë këtij grupi për të rrezikuar izraelitë.

Në një konferencë për gazetarë pas takimit të shumëpritur me homologun kinez, Xi Jinping, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se operacioni i Izraelit në Gaza “do të përfundojë, kur Hamasi të mos e këtë më aftësinë për të vrarë, për të abuzuar e për të bërë gjëra të tmerrshme ndaj izraelitëve”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Megjithatë, ai shtoi se ushtria izraelite “e ka obligim që të përdorë sa më shumë kujdes që mundet gjatë ndjekjes së caqeve”. “Hamasi tha se planifikon që t’i sulmojë izraelitët përsëri dhe kjo është një dilemë e tmerrshme”- tha më tej presidenti Biden.

Administrata e tij ka vazhduar që t’i kundërshtojë thirrjet ndërkombëtare ndaj Izraelit për armëpushim, duke thënë se ky shtet e ka të drejtën për ta mbrojtur veten nga Hamasi pas sulmit të 7 tetorit, por ka bërë thirrje për më shumë pauza afatshkurtra humanitare dhe ka pohuar se pret që Izraeli t’u përmbahet rregullave të luftës gjatë luftimeve në Gaza.

Bideni tha se Izraeli po ndërmerr rreziqe përmes operimit përreth spitalit “Al-Shifa” në qytetin Gaza, por se “një gjë është përcaktuar: Hamasi ka seli qendrore, armë, municion nën këtë spital dhe – dyshoj unë – nën spitale të tjera”.

Ai shtoi se zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar diskutime me izraelitët, duke u bërë thirrje që të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm” gjatë lëvizjeve ushtarake përreth spitaleve të enklavës palestineze.

Presidenti sqaroi se ShBA-ja nuk i përkrah sulmet izraelite ndaj spitalit përmes ajrit. “Spitalet dhe pacientët duhet të mbrohen”- tha Bideni, duke theksuar se brenda objektit ka njerëz të pafajshëm që janë duke u strehuar.