Beyonce shkruan historinë në Grammy Awards, bëhet artistja e parë me 100 nominime

- Advertisement -

Beyoncé ka shkruar sërish historinë në Grammy Awards, duke u bërë artistja e parë që arrin shifrën prej 100 nominimesh në historinë e këtyre çmimeve.

Këtë rekord e arriti pasi kënga e saj “Morning Dew (Donk)” u nominua në kategorinë Performanca më e mirë solo R&B (Best R&B Solo Performance), raporton Variety.

Këngëtarja publikoi më 4 korrik këngën “Morning Dew (Donk)”, e cila kishte mbetur e papublikuar për një kohë të gjatë, në prag të 20-vjetorit të albumit të saj të dytë, “B’Day”. Kënga ishte shkruar fillimisht nga Beyoncé, Pharrell Williams, The-Dream dhe Darius Dixon, ndërsa në prodhimin e saj u angazhuan Beyoncé dhe Williams.

“Morning Dew (Donk)” do të garojë në kategorinë e Performancës më të mirë solo R&B përballë këngëve “Out the Window” nga Kehlani, “Let Me” nga Victoria Monét, “Pressha” nga Jill Scott dhe “What You Need” nga Tems.

Beyoncé nuk është e panjohur për rekorde historike në Grammy Awards. Në vitin 2023, ajo theu rekordin për numrin më të madh të çmimeve të fituara, duke arritur në 32 trofe, pasi atë vit u shpërblye me katër çmime nga Recording Academy. Çmimi që e vendosi atë në krye të listës ishte ai për albumin më të mirë dance/elektronik, me albumin “Renaissance”.

Para ceremonisë së Grammy Awards 2023, rekordi për numrin më të madh të çmimeve të fituara mbahej nga dirigjenti dhe muzikanti i muzikës klasike Georg Solti, me gjithsej 31 çmime. Ai e kishte vendosur këtë rekord në vitin 1997, kur fitoi çmimin e tij të fundit, në kategorinë e regjistrimit më të mirë të operës. Solti ndërroi jetë po atë vit.

Në vitin 2024, Beyoncé u bë artistja me më së shumti nominime në historinë e Grammy Awards, pasi siguroi 11 kandidatura falë albumit të saj “Cowboy Carter”. Me këtë arritje, ajo kaloi bashkëshortin e saj, Jay-Z, me të cilin deri atëherë ndante rekordin prej 88 nominimesh.

Në vitin 2025, Beyoncé fitoi edhe tre çmime të tjera Grammy, duke e çuar në 35 numrin e përgjithshëm të trofeve të fituara gjatë karrierës së saj. Kështu, ajo vazhdon të mbajë rekordin si artistja më e shpërblyer në historinë e Grammy Awards dhe si muzikantja femër me më së shumti çmime të fituara.

Të ngjashme

Të fundit