Nga Besa Ismaili
Zë i ri me paragjykime të vjetra? Mos!
Ata që reagojnë kundër protestuesve, duke u përpjekur t’ua mohojnë dinjitetin dhe legjitimitetin me arsyetime banale për zhurmën dhe mënyrën e protestimit, në të vërtetë do të duhej t’u bashkoheshin atyre.
Një zë i ri në politikë është tepër i vonuar për të kërkuar përfitim elektoral nga ndarjet postkoloniale që e kanë përhumbur shoqërinë tonë: në “urbanë” e “katundarë”, në “të civilizuar” e “të pacivilizuar”.
Këtij diskursi tashmë i ka dalë boja. E dimë kush e ka prodhuar, kush e ka ushqyer dhe kush ka përfituar politikisht prej tij. Prandaj, askush të mos e paraqesë veten si zë të ri duke përsëritur paragjykimet më të vjetra.
Tani është momenti që çdo deputet i ri ta kuptojë se ajo që ka ndodhur në Hagë e ka goditur vetë themelin historik dhe moral të shtetit të Kosovës. Në këtë çast nuk kërkohen ndarje të reja, por përgjegjësi kombëtare. Kushdo që e konsideron veten patriot duhet t’i mbyllë kapitujt e përçarjeve të deritanishme dhe t’i bashkohet luftës politike, qytetare dhe diplomatike për drejtësi për çlirimtarët.
Pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës është faqebardhësia e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. E faqebardhësia e Kosovës është përgjegjësi e përbashkët kombëtare.
Kaq e ka kjo punë.






