Kandidatja e PDK-së, Besa Ismaili, ka falënderuar qytetarët për besimin, mbështetjen dhe votën e dhënë në zgjedhjet e fundit, shkruan Scanner.
Ajo theksoi se procesi zgjedhor dëshmoi maturinë qytetare, respektimin e rregullave demokratike dhe kulturën politike në vend. Ismaili shprehu mirënjohje të veçantë për strukturat, aktivistët, vullnetarët dhe mbështetësit e saj, të cilët e kanë shoqëruar gjatë gjithë fushatës.
Sipas saj, mbështetja e vazhdueshme prej mbi 8 mijë votash ndër proceset zgjedhore është dëshmi se qytetarët vlerësojnë konsistencën në vlera, qëndrime dhe kauza. Megjithëse rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar një ulëse në Kuvend, ajo tha se mbetet e përkushtuar ndaj qytetarëve që i kanë besuar ndër vite.
Ismaili gjithashtu uroi të gjithë kandidatët fitues, si brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu edhe në subjektet e tjera politike, duke theksuar se angazhimi i saj për Kosovën do të vazhdojë.
“Do të vazhdoj të jem një zë i përgjegjshëm, konstruktiv dhe i përkushtuar në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që përfaqësoj”, ka deklaruar ajo.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Nga zemra ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe votën tuaj!
Këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë maturinë qytetare, respektimin e rregullave demokratike dhe kulturën tonë politike. Për këtë, secili prej jush meriton mirënjohje.
Një falënderim të veçantë shkon për të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, aktivistët, vullnetarët dhe mbështetësit e mi të palodhur, të cilët më qëndruan pranë gjatë gjithë kësaj gare.
Gjatë proceseve zgjedhore në vazhdimësi kam ruajtur një mbështetje të qëndrueshme prej rreth mbi 8 mijë votash. Kjo për mua është dëshmi se konsistenca në vlera, qëndrime dhe kauza vlerësohet nga qytetarët. Ndonëse ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar një ulëse në Kuvend, unë mbetem po aq e përkushtuar dhe besnike ndaj qytetarëve që më kanë besuar ndër vite.
Rezultatin zgjedhor e pranoj me respekt dhe njëkohësisht uroj të gjithë kolegët fituesë, si brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu edhe në subjektet e tjera politike.
Angazhimi im për Kosovën të parën është i palëkundur. Do të vazhdoj të jem një zë i përgjegjshëm, konstruktiv dhe i përkushtuar në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që përfaqësoj.
Me respekt dhe mirënjohje,
Besa






