Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se rasti i vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj tregon sesa të pasigurta janë gratë dhe vajzat në Kosovë.
Berisha thotë se gratë në Kosovë nuk po janë të sigurta as në dyert e institucioneve.
“Fatkeqësisht ky rast tregoi edhe një herë se sa të pasigurta janë gratë dhe vajzat në Kosovë edhe atëherë kur ato i drejtohen institucioneve na tregoi që gratë as në ambiente të shtëpisë e as në rrugë, as në dyert e institucioneve nuk janë të sigurta dhe jeta e tyre është në rrezik, jeta e tyre varet nga vullneti dhe mendimi i një burri i cili mendon se ka të drejtë ta përfundojë dhe ta marrë jetën e një gruaje e cila siç duket ku edhe fakti që ajo ka qenë në Qendrën për Punë Sociale duke kërkuar mbështetjen nuk po na len me dyshua që edhe më herët ka përjetuar dhunë prej këtij personi, ku përfundoi edhe me fatalitet”, tha ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, duke shpresuar se autori i krimit të marrë dënimin meritor ashtu siç e kërkon kodi penal i Kosovës.
Ajo tha se rasti i vrasjes së sotme është tragjedi e madhe që i dyshuari është recidivist i veprave penale.
“Është tragjedi e madhe që edhe në këtë rast i dyshuari na doli recidivist, mirëpo në anën tjetër rastet e dhunës ndaj grave do të thotë dhunuesit janë personalitete të cilat dinë edhe të manipulojnë imazhin e tyre se si paraqiten në shoqëri”, shtoi ajo.
Pasditen e së premtes, 21-vjeçarja është vrarë brenda Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Ferizajt nga ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar. I dyshuari la të plagosur edhe 15-vjeçarin, vëllaun e viktimës. Autori i krimit u arrestua nga Policia e Kosovës, edhe pse i njëjti provoi të arratiset.