Berisha: Mbështesim pesë kërkesat e protestuesve, parlamenti t’i trajtojë

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se mbështet kërkesat e protestuesve dhe se ato do të jenë pjesë e angazhimit të opozitës në aktivitetet e saj brenda dhe jashtë vendit.

I pyetur lidhur me pesë kërkesat e parashtruara nga protestuesit, përfshirë edhe kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore jopolitike në rast të dorëheqjes së kryeministrit, Berisha tha se Partia Demokratike i mbështet ato.

Ai theksoi se opozita do t’i trajtojë këto kërkesa “me seriozitetin më të madh” në aktivitete politike kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shtuar se kauza e protestuesve është ngritur edhe në takimet dhe kontaktet e PD-së jashtë vendit.

“Ne kemi mbështetur plotësisht pesë kërkesat e para dhe mbështetja ndaj tyre përbën një nga motivet më themelore të angazhimit tonë total, jo me simbolet dhe sloganet tona, por si anëtarësi dhe mbështetës të Partisë Demokratike, bazuar në fibrën qytetare.

Kërkesat e paraqitura dje garantojnë protestuesit se do të konsiderohen me seriozitetin më të madh, si në aktivitetin tonë direkt kombëtar, ashtu dhe aktivitetin tonë ndërkombëtar. Dua të theksoj këtu se ne, në të gjitha lidhjet tona dhe aktivitetet ndërkombëtare, kemi mbrojtur kauzën e drejtë të protestuesve”, tha Berisha.

Berisha kërkoi gjithashtu që Kuvendi të ndërpresë aktivitetet e tjera dhe të fokusohet te shqyrtimi i kërkesave të protestuesve.

“Jemi të gatshëm të trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe insistojmë që parlamenti të ndërpresë çdo lloj aktiviteti tjetër dhe të merret me trajtimin e kërkesave të drejta të protestuesve, të protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë”, tha ai./atsh

Të ngjashme

Të fundit