Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur përpjekjet për formimin e Qeverisë së re.
Sot mediat raportuan se ai në adresë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, e ka dërguar një letër ku e fton për konsultime.
Por, në disa raste, Kurti ka deklaruar se nuk po mundet ta bëjë qeverinë sepse sipas tij Serbia po bën presion.
E lidhur me këtë të fundit, u deklarua kryetari i Partisë Liberale Egiptiane Veton Berisha.
Berisha në Rubikon të Klan Kosovës e ftoi kryeministrin që të flet me emra, kush po shantazhohet.
“Një qasje e tillë, e përgjithësuar, nuk na bën të ndihemi mirë, nuk na bën të ndihemi komod sepse nuk e dimë se për kënd po flasim e si po flasim. Ai i ka në dorë të gjitha institucionet e sigurisë dhe është mirë të dalë me gjëra të konfirmuara, dhe nëse dikush është duke u përdorur nga Serbia, kjo është e pandershme për atë që po e bën”, deklaroi Berisha në Klan Kosova.