ntoine Griezmann i dha lamtumirën stadiumit “Metropolitano” mes lotëve, duartrokitjeve dhe një homazhi të madh nga tifozët e Atletico Madridit. Ceremonia, e organizuar nga klubi pas ndeshjes ndaj Gironës, preku thellë të pranishmit, me mbi 64 mijë tifozë që e përcollën francezin me emocione të forta.
Griezmann, i cili mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Atletico Madridit me 212 gola dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës moderne të klubit, ishte i fundit që mori fjalën.
Edhe pse i ka mbetur edhe një ndeshje për ta luajtur (kundër Villarrealit), kjo u konsiderua si lamtumira e tij me shtëpinë – stadiumin ku ai shënoi edhe golin e parë në histori në ditën e inaugurimit më 16 shtator 2017.
Në fjalimin e tij, Griezmann iu drejtua tifozëve me falënderim dhe kërkoi sërish falje për gabimin e së kaluarës, duke pranuar se nuk e kishte kuptuar atëherë sa e madhe ishte dashuria që merrte në Madrid, kur shkoi te Barcelona.
“Së pari, faleminderit që qëndruat. Kjo është e mrekullueshme. Së dyti, dhe shumë e rëndësishme, e di që shumë prej jush e ka dëgjuar, disa ende jo, por kërkoj përsëri falje. Nuk e kuptova sa shumë dashuri kisha këtu; isha shumë i ri. Bëra një gabim, u ktheva në vete dhe bëmë gjithçka që mundëm për t’u rikthyer këtu dhe për ta shijuar përsëri”, u shpreh ai.
Francezi falënderoi shokët e ekipit nga viti 2014 e deri më sot, stafin mjekësor e teknik dhe, veçanërisht, Diego Simeonen, të cilin e quajti njeriun që “ndryshoi gjithçka” në klub.
“Për stafin e trajnerëve dhe për atë që ndryshoi gjithçka në këtë klub, Don Diego Pablo Simeone. Falë teje, u bëra kampion bote, u ndjeva më i miri në botë dhe ka qenë një nder të luftoj për ty”, deklaroi ai.
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua kapitenit Koke, të cilin Griezmann e quajti “legjendë” të klubit, si dhe familjes së tij – bashkëshortes Erika Choperena dhe prindërve, sidomos babait, për sakrificat e fëmijërisë.
Dhe në fund, ai e mbylli me një deklaratë që ndezi stadiumin: “Faleminderit shumë që sollët fëmijët tuaj këtu për t’u treguar atyre se çfarë është Atlético de Madrid, që është më i miri në botë”.
Edhe Koke, i veshur me fanellën e sezonit të parë të Griezmann te Atletico (2014/15), foli me tone emocionale për rëndësinë që francezi ka pasur brenda dhomës së zhveshjes.
“Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Atlético de Madrid… Faleminderit që na sjell gëzim të gjithëve çdo ditë”, tha kapiteni, duke theksuar se, përtej titujve, Atletico vlerëson momentet kur “70 mijë njerëz të duartrokasin”.
Lamtumira në “Metropolitano” u shoqërua me lot edhe te Simeone dhe te bashkëlojtarët, ndërsa mbrëmja u kthye në një homazh për një prej figurave më të mëdha të historisë së klubit, që tani pritet ta vazhdojë karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara.







