Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, ka reaguar ndaj kritikave të trajnerit Thomas Tuchel pas fitores së vështirë ndaj Norvegjisë me rezultatin 2-1 pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës.
Tuchel u shpreh se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e “Tre Luanëve”, duke ngritur pikëpyetje për faktin se skuadra ende nuk ka treguar potencialin e saj të plotë në këtë turne.
I pyetur për komentet e trajnerit, Bellingham pranoi se standardet e larta janë pjesë e mentalitetit të ekipit, por theksoi se përballja me Norvegjinë nuk ishte aspak e lehtë.
“Ndoshta. Por ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në këto kushte ndaj Erling Haaland, Martin Odegaard, Antonio Nusa dhe Alexander Sorloth. Ky nuk ishte aspak një kundërshtar i lehtë”, deklaroi Bellingham.
Ylli i Real Madridit shtoi se Anglia duhet të ruajë atmosferën pozitive dhe mentalitetin fitues në fazën vendimtare të turneut.
“Mendoj se u përpoqëm të krijojmë një atmosferë pozitive dhe duhet ta vazhdojmë këtë. Nuk i gjej fjalët për t’i lavdëruar sa duhet këta djem”.
“Nuk mund të fitosh çdo ndeshje vetëm duke pasuar topin dhe duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë jo të bukur, dhe sonte e bëmë përsëri”, u shpreh mesfushori anglez.
Bellingham ishte protagonist absolut në triumfin ndaj Norvegjisë, duke shënuar dy gola dhe duke ndihmuar Anglinë të përmbyste disavantazhin.
Në gjashtë ndeshje të zhvilluara në këtë Botëror, 23-vjeçari ka regjistruar një bilanc mbresëlënës prej 6 golash dhe 1 asistimi.





