Bekim Haxhiu falënderon mbështetësit: Abstenimi i lartë ishte mesazh kundër pushtetit

- Advertisement -

Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka falënderuar qytetarët, aktivistët dhe votuesit për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor.

Ai tha se çdo takim, bisedë dhe fjalë inkurajuese kanë qenë motivim për të vazhduar angazhimin e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit.

Sipas Haxhiut, rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si mesazh për politikëbërësit, ndërsa shkalla e lartë e mospjesëmarrjes në votime reflekton, sipas tij, zhgënjimin dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes aktuale.

“Ndryshimi nuk vjen nga abstenimi, por nga angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve në proceset demokratike”, theksoi ai.
Haxhiu vlerësoi se abstenimi prej mbi 63 për qind i votuesve ka dhënë një mesazh të fortë ndaj pushtetit dhe ka ndalur, sipas tij, tendencat autoritare.

Ai u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, përmes mobilizimit më të madh qytetar, do të arrihet ndryshimi i nevojshëm për zhvillimin e vendit, forcimin e demokracisë, drejtësisë dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë.
Në fund, Haxhiu falënderoi të gjithë mbështetësit për besimin dhe respektin e treguar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, miq, aktivistë dhe votues,

Nga zemra ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe respektin që më keni dhënë. Çdo takim, çdo bisedë dhe çdo fjalë inkurajuese kanë qenë motivim për të vazhduar angazhimin tim në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit tonë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve duhet të shërbejë si një mesazh i qartë për të gjithë politikëbërësit. Mospjesëmarrja në zgjedhje e një numri të madh qytetarëve tregon zhgënjimin dhe pakënaqësinë e krijuar nga një pushtet abuziv, që ka degraduar shtetin dhe ka qenë larg nevojave reale të qytetarëve.

Ndryshimi nuk vjen vetvetiu dhe as nga abstenimi në zgjedhje. Ai vjen kur qytetarët angazhohen, marrin përgjegjësi dhe bëhen pjesë aktive e proceseve demokratike.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për politikëbërës që punojnë për qytetarin dhe shtetin tonë, duke forcuar demokracinë, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën për të rinjtë tanë.

Këto zgjedhje, me një shkallë abstenimi prej mbi 63% të qytetarëve, i dhanë një mesazh të fortë pushtetit dhe ndalën tendencat autoritare.
Në zgjedhjet e ardhshme, përmes aktivizimit dhe mobilizimit qytetar, do të arrihet ndryshimi i domosdoshëm për të ardhmen e shtetit tonë.

Faleminderit për besimin tuaj.

Të ngjashme

Të fundit