Bekim Haxhiu ka reaguar ashpër ndaj etiketimit të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, duke e cilësuar si të papranueshme përdorimin e termit “Sami Serbia”.
Haxhiu tha se Lushtaku “nuk iu nënshtrua Serbisë”, por luftoi për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë të njollosë sakrificën e luftëtarëve të luftës.
Sipas tij, shpifjet, fyerjet dhe etiketimet po shndërrohen në mënyrë veprimi në politikë, ndërsa akuzoi institucionet për heshtje dhe mungesë reagimi nga drejtësia.
“Kjo nuk është më politikë, është cenim i dinjitetit dhe i vlerave tona kombëtare”, ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se “kur preket dinjiteti ynë, ne qëndrojmë bashkë”.
Reagimi i plotë:
Kur vasalët e pushtetit degradojnë deri në atë pikë sa një udhëheqës lufte ta quajnë “Sami Serbia”, atëherë duhet t’i mendojnë mirë pasojat e fjalëve dhe veprimeve të tyre.
Sami Lushtaku nuk iu nënshtrua Serbisë. Ai luftoi për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën e popullit tonë për të jetuar i lirë. Prandaj, askush nuk ka të drejtë të njollosë sakrificën e luftëtarëve dhe vlerat për të cilat është derdhur gjak.
Kur shpifja, fyerja, etiketimi dhe përgojimi bëhen mënyrë veprimi, ndërsa institucionet heshtin dhe drejtësia nuk reagon, atëherë përgjegjësinë për pasojat e mbajnë ata që e nxisin dhe e ushqejnë këtë klimë përçarjeje.
Kjo nuk është më politikë, është cenim i dinjitetit dhe i vlerave tona kombëtare.
Kur preket dinjiteti ynë, ne qëndrojmë bashkë.






