Kandidati për deputet nga PDK-ja, Prof. Asoc. Dr. Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas Haxhiut, rezultati i shpallur nuk pasqyron me saktësi vullnetin e votuesve, duke u bazuar në gabimet e konstatuara gjatë procesit të numërimit. Ai thekson se vetë KQZ ka pranuar publikisht se gjatë numërimit fillestar kanë ndodhur gabime, të cilat kryesuesi i KQZ-së i ka cilësuar si “minimale dhe njerëzore”.
Haxhiu argumenton se Ligji për Zgjedhjet kërkon që rezultati zgjedhor të jetë i saktë dhe se certifikimi nuk duhet të bëhet nëse ekzistojnë gabime në numërim.
Sipas tij, nga rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfaqësojnë 3.52 për qind të votave të PDK-së, janë evidentuar 221 ndryshime në votat e kandidatëve, ndërsa mbi 96 për qind e votave të kësaj partie nuk janë verifikuar përmes rinumërimit.
Ai ka bërë të ditur se diferenca ndërmjet tij dhe kandidatit që ka fituar mandatin është 102 vota, duke vlerësuar se kjo është më e vogël se numri i ndryshimeve të evidentuara në mostrat e rinumëruara. Po ashtu, Haxhiu pohon se në vendvotimet e rinumëruara atij i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin regjistruar fillimisht, ndërsa kujton se edhe pas rinumërimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 i ishin shtuar 522 vota.
Për këto arsye, Haxhiu kërkon nga PZAP që të urdhërojë rinumërimin e plotë të votave preferenciale të PDK-së përpara certifikimit të rezultatit përfundimtar, duke vlerësuar se vetëm një proces i tillë garanton respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe integritetin e zgjedhjeve.
Në reagimin e tij, ai shpreh besimin në institucionet e drejtësisë zgjedhore dhe falënderon qytetarët për mbështetjen, duke theksuar se çdo votë duhet të numërohet saktë dhe të pasqyrohet në rezultatin përfundimtar.






