Bekim Haxhiu reagoi pas aksionit të mbrëmshëm në Skenderaj, duke thënë se ngjarja krijoi shqetësim te qytetarët dhe hapi pikëpyetje për kohën, mënyrën dhe motivet e veprimit institucional në prag të fushatës zgjedhore.
Ai deklaroi se prania e forcave speciale në Drenicë riktheu kujtime të rënda për qytetarët, duke kërkuar që çdo veprim institucional të jetë i matur, transparent dhe në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Haxhiu akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe Dejona Mihajli për, siç tha ai, krijimin e tensioneve dhe dirigjimin e “mendësisë përçarëse dhe diktatoriale”, ndërsa theksoi se Policia e Kosovës duhet të mbetet institucion profesional dhe i paanshëm.
Sipas tij, Drenica ka qenë dhe mbetet simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar, duke shtuar se çdo përpjekje për ta përçarë atë ka dështuar.
Reagimi i plotë:
Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor.
Ajo që ndodhi mbrëmë krijoi shqetësim të madh te qytetarët dhe hapi shumë pikëpyetje për kohën, mënyrën dhe motivet e veprimit të këtij pushteti në ikje, sidomos në prag të fushatës zgjedhore.
Pamjet e forcave speciale në zemër të Drenicës rikthyen kujtime të rënda për shumë qytetarë, kujtime që lidhen me periudhat më të dhimbshme të historisë sonë. Për këtë arsye, çdo veprim institucional duhet të jetë i matur, transparent dhe në shërbim të sigurisë së qytetarëve, e jo të perceptohet si presion politik apo demonstrim force.
Ofendimet, provokimet dhe tensionet e krijuara janë të dirigjuara nga mendësia përçarëse dhe diktatoriale e Albin Kurtit dhe Dejona Mihajlit.
Policia e Kosovës duhet të mbetet institucion profesional, i paanshëm dhe larg interesave partiake te pushtetit.
Drenica ka qenë dhe mbetet simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar. Historia ka treguar se çdo përpjekje për ta nënshtruar apo përçarë atë ka dështuar.






