Behrami: Kosova është në një gjendje të jashtëzakonshme, s’kemi stabilitet politik

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të thellë politike dhe institucionale, duke e cilësuar situatën aktuale si një “gjendje të jashtëzakonshme”.

Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Behrami tha se nuk e kishte menduar se një qeverisje do të mund ta mbante vendin për një periudhë kaq të gjatë në krizë politike, kushtetuese dhe ekonomike.

“Nuk besoj që ka njeri në Kosovë, as ata që merren me politikë, as njerëz që nuk kanë qenë të interesuar në politikë, as diplomatë që dikur kanë shërbyer në Kosovë e tani shërbejnë në Kosovë, askujt nuk do t’i shkonte në mendje që një njeri, në mënyrë të qëllimshme, në mënyrë të programuar, krijon dhe mirëmban krizë edhe kushtetuese, edhe politike, edhe ekonomike dhe e mban vendin të izoluar, në një limbo të brendshëm edhe të jashtëm”, tha Behrami.

Sipas tij, shumë njerëz janë përpjekur të kuptojnë skenarët politikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, por nuk kanë parashikuar një situatë në të cilën, sipas tij, një përfaqësues i institucioneve mund t’i shkaktojë dëm kaq të madh vendit.

Behrami tha se për këtë situatë sheh dy shpjegime.

“Shpjegimi i parë është që ky njeri nuk ka empati për vendin, nuk ka empati për shtetin, nuk ka empati për institucionet e Republikës së Kosovës. Dhe shpjegimi i dytë është që dikur, në dikur në ato ndejat e Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe të shkruara, thuhet që nëse ndonjëherë vijmë në pushtet, ne duhet ta qeverisim Kosovën në një gjendje të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Sipas Beharamit, Kosova tashmë ndodhet në një situatë të tillë, pasi, siç tha ai, që nga viti 2025 vendi është përfshirë në një cikël të vazhdueshëm zgjedhor dhe politik.

“Kosova tash, që nga 2025, ku për herë të parë kemi filluar fushatë zgjedhore, është në fakt në një gjendje të jashtëzakonshme, sepse nuk kemi stabilitet politik”, u shpreh Behrami.

Ai theksoi se stabiliteti politik ka qenë për vite me radhë një nga argumentet kryesore me të cilat Kosova është dalluar nga vendet e rajonit.

“Stabiliteti politik dikur, në të gjitha takimet tona si diplomat, ka qenë argumenti kryesor që neve na ka dalluar nga Serbia, na ka dalluar nga Shqipëria, na ka dalluar nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Sot Kosova po shihet si një shtet i cili është në një krizë permanente dhe si një shtet që po jep shenja të një shteti të dështuar”, deklaroi ai.

Të ngjashme

Të fundit