22.9 C
New York
Thursday, July 18, 2024

Buy now

​Begaj nga Italia: Marrëveshjet, udhërrëfyes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

- Advertisement -
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksi i zbatimit të tij i arritur më 18 mars në Ohër duhet të jenë udhërrëfyes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata, Begaj i bëri nga Italia ku po qëndron për një vizitë zyrtare. Deri më tani është takuar me homologun e tij, presidentin Sergio Mattarella si dhe me presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana.

Presidenti Begaj nënvizoi mbështetjen që Italia i ka dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera rajonale, gjithashtu dhe dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

“Çështja më e rëndësishme dhe më e nxehtë e diskutimit midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet me dialog dhe ramë dakord që marrëveshja e dakorduar publikisht dhe aneksi i dakorduar në Ohër të jenë si udhërrëfyes për normalizimin e marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e cila do të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe njohja reciproke të dy vendeve”, deklaroi Begaj.

Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, presidenti Begaj ka vlerësuar marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis Shqipërisë dhe Italisë, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.

Begaj ka shprehur mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.

“Me presidentin Mattarella diskutuam në lidhje me marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë midis dy vendeve tona, natyrisht edhe për ndihmën e madhe dhe kontributin e paçmuar që shteti italian ka dhënë në rrugën dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndamë gjithashtu mendimin se bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe besoj se duhet të vazhdojë ky trend në rritje edhe për vitet në vijim. Një gjë tjetër e rëndësishme që e u diskutua me presidentin Mattarella ishte edhe vlerësimi nga ana jonë i marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, pritet vetëm vendimi përfundimtar i firmosjes së kësaj marrëveshjeje, kështu që jemi në rrugë të mbarë”, deklaroi Begaj.

Mëngjesin e së shtunës, Begaj, u prit edhe në Pallatin Montecitorio nga presidenti i Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana.

Në qendër të bisedimeve ishte bashkëpunimi mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin parlamentar, por edhe bashkëpunimin në funksion të paqes dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Pasi vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore e të partneritetit strategjik, Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga Parlamenti italian për të gjitha fazat e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe shprehu besimin se kjo ndihmë do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave të aderimit.

Një kontribut të veçantë, Begaj, konsideroi edhe rolin e rëndësishëm të Italisë në kuadër të Procesit të Berlinit, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim, Begaj shoqërohej dhe nga dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit parlamentar të miqësisë, Shqipëri-Itali, Arben Pëllumbi dhe Emilja Koliqi.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit