Befasi në Botërorin 2026: Maroku ndal Brazilin, ndeshja mbyllet pa fitues

- Advertisement -
Kombëtarja e Brazilit ka zhgënjyer në ndeshjen e saj në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, duke barazuar 1:1 ndaj Marokut në takimin e vlefshëm për Grupin C.

Ishin marokenët ata që goditën të parët. Në minutën e 21-të, Ilias Saibari realizoi për epërsinë 0:1, pas asistimit të Brahim Díaz, duke heshtur tifozët brazilianë dhe duke konfirmuar formën e mirë të përfaqësueses afrikane.

Megjithatë, reagimi i “Seleçaos” nuk vonoi. Në minutën e 32-të, ylli brazilian Vinícius Júnior riktheu ekuilibrin në rezultat, pas një aksioni të ndërtuar nga Bruno Guimarães, duke shënuar golin e barazimit për 1:1.

Pjesa e parë u karakterizua edhe nga loja e ashpër e brazilianëve, me Casemiron që u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 37-të, ndërsa Roger Ibañez u regjistrua në listën e të ndëshkuarve gjashtë minuta më vonë.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, me Brazilin dhe Marokun që ndanë nga një pikë.

Ky barazim mund të ketë ndikim të madh në garën për kualifikim nga Grupi C, ndërsa Maroku dëshmoi edhe një herë se është një kundërshtar i denjë për t’u respektuar në skenën më të madhe të futbollit botëror. Ndërkohë, Brazili do të duhet të bëjë më shumë në ndeshjet e ardhshme për të justifikuar statusin e një prej favoritëve për trofeun e Kupës së Botës 2026.

Të ngjashme

Të fundit