Bebe Rexha tregon rregullin e saj në takime: “Nëse më kërkon gjysmën e faturës, nuk më sheh më”

- Advertisement -

Këngëtarja shqiptare foli për kapitullin e ri të karrierës, albumin “Dirty Blonde”, prejardhjen shqiptare, bashkëpunimet ndër vite dhe jetën jashtë muzikës.

Gjatë intervistës nga prapaskenat e “TODAY Show Citi Concert”, Rexha tregoi se në këtë fazë të karrierës ndihet më e guximshme, më e sigurt dhe më pak e shqetësuar për mënyrën se si perceptohet nga të tjerët.

Ajo foli gjithashtu për mënyrën se si e ka përfshirë trashëgiminë shqiptare në muzikën e saj, veçanërisht përmes këngës “Çike Çike”, ndërsa ndau edhe pasionin e saj për gatimin.

Megjithatë, një nga momentet që tërhoqi më së shumti vëmendjen erdhi në fund të intervistës, kur Bebe u pyet se si do të reagonte nëse një mashkull do të paguante faturën gjatë një takimi dhe më pas do t’i kërkonte asaj, përmes aplikacionit Venmo, t’ia kthente gjysmën e shumës.

Përgjigjja e saj ishte e menjëhershme.

“Nëse një djalë del me mua në takim, paguan faturën dhe më pas më dërgon një kërkesë në Venmo që t’ia rimbursoj gjysmën, ai nuk do të më shohë më kurrë”, tha këngëtarja.

Rexha shtoi se nuk do të pranonte as propozimin që fatura të ndahej përgjysmë gjatë vetë takimit.

“Nëse ai më kërkon ta ndajmë faturën përgjysmë, unë do ta paguaj të gjithë faturën dhe do të largohem. Nuk kam kohë për këtë”, u shpreh ajo.

Këngëtarja iu referua më pas edhe stereotipit sipas të cilit gratë që presin që mashkulli të paguajë faturën cilësohen si “gold diggers”, term që përdoret për persona që hyjnë në një lidhje kryesisht për përfitime financiare.

“Djemtë gjithmonë thonë: ‘Vajzat janë gold diggers’. Ndërsa unë them gjithmonë: ‘Çfarë ari po kërkojnë? Nuk ka fare ar aty për t’u gërmuar’”, deklaroi Bebe Rexha me humor.

Me deklaratën e saj, artistja bëri të qartë se për të çështja nuk lidhet vetëm me pagesën e faturës, por edhe me mënyrën se si ajo e sheh sjelljen dhe gjestin e një partneri gjatë një takimi.

Të ngjashme

Të fundit