Bashkimi Evropian ka rritur presionin ndaj Serbisë pas vendimit për organizimin e ceremonive të varrimit të Ratko Mlladiçit, i dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Në ditët e para pas vdekjes së Mlladiçit, më 27 gusht, në Bruksel nuk pati reagime publike nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Situata ndryshoi pas kthimit të trupit të tij në Beograd, kur u bë e qartë se në organizimin e ceremonive përkujtimore dhe varrimit do të kishte përfshirje të institucioneve shtetërore serbe.
Në prapavijë, zyrtarët evropianë janë angazhuarpër të bindur presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që të mos organizohet ceremoni shtetërore për Mlladiqin, shkruan RTK.
Megjithatë, pritet që në varrim të marrin pjesë pjesëtarë të qeverisë serbe, gjë që është pritur me kritika në Bruksel.
Qëndrimi i BE-së u bë më i ashpër më 4 shtator, kur presidentja e radhës e Këshillit të BE-së, Irlanda, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, reaguan publikisht për rastin.
Kos e cilësoi varrimin e Mlladiçit si një test të rëndësishëm për Serbinë dhe për mënyrën se si ajo i ndan vlerat evropiane.
Në të njëjtën kohë, komisionerja evropiane ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi më 9 dhe 10 shtator. Vendimi lidhet me shqetësimet për glorifikimin e figurës së Mlladiçit.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme për Serbinë, e cila ndodhet në një fazë të një fushate të pashpallur parazgjedhore, ndërsa në vend janë ngritur shqetësime edhe për spiunimin e pjesëtarëve të opozitës dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Ndërkohë, në Bruksel po përcillet me vëmendje edhe rasti i tentativës për sulm me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Leipzigut në Gjermani.
Dy shtetas serbë janë arrestuar në Serbi nën dyshimet për përfshirje në këtë rast, ndërsa Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë një reagim që lidh drejtpërdrejt autoritetet serbe me tentativën për sulm.
Në Bruksel, incidenti shihet në kuadër të sfidave të reja të sigurisë me të cilat po përballet Evropa dhe si një tjetër dëshmi se edhe vendet anëtare të NATO-s mund të jenë objekt i provokimeve që mund të lidhen me Rusinë.
Rasti pritet të jetë gjithashtu një test për NATO-n dhe unitetin e saj në rast të përshkallëzimit të kërcënimeve të kësaj natyre.
Në BE ekzistojnë prej kohësh shqetësime edhe për dhënien e pasaportave serbe shtetasve rusë. Numri i rusëve që kanë marrë shtetësi serbe është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke ngritur shqetësime për sigurinë në vendet e BE-së.
Kjo për shkak se shtetasit rusë që pajisen me pasaportë serbe mund të lëvizin lirshëm në hapësirën e Bashkimit Evropian.
Disa vende baltike kanë kërkuar kufizimin e dhënies së vizave për persona me prejardhje ose lidhje ruse, por kjo nismë deri më tani nuk ka marrë mbështetje të gjerë në nivel të Bashkimit Evropian.






