Bashkimi Evropian synon që dialogun Kosovë-Serbi ta vazhdojë në tavolinën e bisedimeve, e jo në publik apo media. Një deklaratë e tillë e zëdhënësit Peter Stano vjen pas deklarimeve të shumta pas takimit të 14 qershorit.
Stano në një konferencë para gazetarëve, sot u pyet pikërisht rreth dialogut, duke iu referuar sërish deklaratës që u publikua dje nga 27 vendet anëtare.
“Të gjitha përgjigjet janë në deklaratën e 27 vendeve anëtare. Ato ishin të qarta se çfarë presin nga të dy palët, cila është rruga përpara, kështu që Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më të mirën që të lëvizin përpara.” – tha fillimisht ai.
Po ashtu, zëdhënësi i BE-së u shpreh që nuk do të bëjnë detaje të ditura, derisa theksoi qartë se synojnë që dialogu të vazhdojë në tavolinën e bisedimeve, e jo në publik po media.
“Nuk do të hymë në detaje, sërish, ne nuk po bëjmë negociata jashtë, ne kemi një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja si platformë veçantë, duam t’i ndihmojnë të gjejnë rrugën dhe kompromiset e nevojshme. BE-ja synon vazhdimin e dialogut në tavolinën e dialogut, jo në publik apo në media.” – tha ai.