Jose Mourinho ka nxitur spekulime të reja në merkato, pasi u pa në Berlin për finalen e Kupës së Gjermanisë mes Bayern Munichut dhe Stuttgartit.
Sipas Sky Sports, trajneri portugez, i cili pritet të marrë drejtimin e Real Madridit, ishte i pranishëm në “Olympiastadion” për ta ndjekur nga afër yllin e Bayernit, Michael Olise.
Mourinho u pa duke dalë nga hoteli “Adlon Kempinski”, i veshur në mënyrë të thjeshtë dhe me kapelë blu, ndërsa më pas u drejtua drejt stadiumit. Ai shoqërohej nga Hendrik Schauerte i agjencisë Gestifute, e cila drejtohet nga Jorge Mendes.

Raportohet se Olise është një nga lojtarët që Mourinho i pëlqen shumë dhe mund ta kërkojë te Real Madridi gjatë verës. Francezi ka shkëlqyer këtë sezon në Bundesligë dhe shihet si një përforcim i mundshëm për sulmin madrilen.
Megjithatë, Bayerni nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta. Presidenti nderi i klubit, Uli Hoeneß, reagoi ashpër ndaj zërave për interesimin e Real Madridit.

“Mund ta shikojë Olisen me pesë sy, por nuk do ta marrë. Ai është i pashitshëm. Shpresoj të mos e takoj, sepse mund t’ia kishte kursyer vetes udhëtimin nga Madridi”, deklaroi Hoeneß.
Olise po zhvillon një sezon fantastik me Bayernin dhe është shpallur lojtari i sezonit në Bundesligë. Në 52 ndeshje në të gjitha garat, ai ka shënuar 22 gola dhe ka dhuruar 30 asistime.
Ai ishte gjithashtu vendimtar në Ligën e Kampionëve, ku ndihmoi Bayernin ta eliminonte Real Madridin në çerekfinale.





