Bayern Munich e ka fituar Kupën e Gjermanisë pasi në finalen e zhvilluar në Olympiastadion mposhti VfB Stuttgart me rezultat bindës 3-0, falë një paraqitjeje fantastike të Harry Kane, i cili realizoi të tre golat e takimit.
Finalja nisi me një ritëm më të kujdesshëm nga të dy skuadrat, të cilat u fokusuan fillimisht në ruajtjen e balancës dhe shmangien e gabimeve në repartin defensive.
Pjesa e parë u karakterizua nga pak raste të pastra shënimi, me Bayernin që kishte më shumë kontroll të topit, por pa arritur të konkretizonte dominimin.
Gjithçka ndryshoi pas pjesës së parë, kur bavarezët rritën ndjeshëm intensitetin e lojës dhe filluan të krijojnë më shumë hapësira në mbrojtjen e Stuttgartit.
Në minutën e 55-të, Harry Kane zhbllokoi sfidën pas një aksioni të ndërtuar bukur nga krahu, duke u ngritur më lart se mbrojtësit kundërshtarë dhe duke realizuar me kokë pranë shtyllës së majtë për rezultatin 1-0.
Bayerni vazhdoi të mbetej skuadra më kërkuese në fushë dhe ishte shumë afër golit të dytë në minutën e 61-të, kur Konrad Laimer, pas një topi të kthyer në zonë, goditi mbi traversë.
Në vazhdim të takimit, Harry Kane ishte përsëri pranë golit në minutën e 80-të, kur pas një pasimi preciz në zonë lëshoi një goditje të fuqishme, por topi përfundoi në traversë.
Megjithatë, sulmuesi anglez nuk gaboi pak çaste më vonë, pas një kombinimi të shpejtë me Luis Diaz, Kane kaloi mbrojtësin kundërshtar me një lëvizje të bukur brenda zonës dhe realizoi me një goditje të pandalshme në këndin e poshtëm të djathtë për 2-0.
Në minutat shtesë të ndeshjes, konkretisht në minutën e 92-të, Kane kompletoi mbrëmjen perfekte duke realizuar edhe golin e tretë personal dhe të Bayernit, për rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë triumf, Bayern Munich e mbyll sezonin me një tjetër trofe të rëndësishëm në futbollin gjerman, ndërsa Harry Kane konfirmoi edhe një herë statusin e tij si lideri kryesor ofensiv i skuadrës bavareze.





