Bashkimi Evropian hap kapituj të rinj negociatash me Ukrainën dhe Moldavinë për anëtarësimin në Union

- Advertisement -

Bashkimi Evropian do të hapë zyrtarisht të martën kapituj të rinj negociatash me Ukrainën, një hap i domosdoshëm përpara anëtarësimit të vendit në BE. Lajmi u bë i ditur të hënën nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

“Përshëndes vendimin e marrë sot nga vendet anëtare të BE-së për të hapur dy kapituj të rinj negociatash me Ukrainën dhe Moldavinë. Presim me padurim hapjen e të gjithë kapitujve të mbetur sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Costa në një postim në rrjetin social X.

Të 27 vendet anëtare ranë dakord për hapjen e dy kapitujve të rinj të negociatave edhe me Moldavinë, procesi i anëtarësimit të së cilës në BE është i lidhur me atë të Ukrainës.

Hapi i ri në rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit u bë i mundur pas miratimit, më herët gjatë së hënës, nga Parlamenti ukrainas, të ligjit për të drejtat e pakicave në arsim dhe në përdorimin e gjuhës. Kjo reformë ishte kërkuar nga Hungaria.

Të martën pritet gjithashtu të mbyllen tre kapituj të tjerë negociatash me Malin e Zi, vend që synon anëtarësimin në BE në vitin 2028, si dhe një kapitull me Shqipërinë.

Vendet kandidate për anëtarësim, përfshirë Ukrainën, kanë ende shumë punë për të bërë përpara se të përmbushin ‘acquis communautaire’, tërësinë e rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Këto përfshijnë fusha të ndryshme, nga mjedisi dhe bujqësia deri te tregu i brendshëm.

Në total, secili prej vendeve kandidate duhet të përmbyllë të paktën 35 kapituj negociatash përpara se të merret vendimi për anëtarësimin e tij.

Ky vendim kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare dhe më pas ratifikimin nga secili shtet veçmas, përmes parlamentit kombëtar ose referendumit. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit