Barcelona po e kalon javën më të vështirë që nga fillimi i sezonit. Pas një starti pothuajse perfekt, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick i pësoi dy humbje të rënda ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë: fillimisht 4-2 nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve dhe më pas 2-1 nga Real Madridi në El Clasico.
Dy rezultatet kanë rikthyer katalanasit me këmbë në tokë, duke i nxjerrë në pah disa probleme që ende kërkojnë zgjidhje.
Shqetësimi kryesor lidhet me repartin defanziv, që konsiderohet pika më e dobët e skuadrës, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.
Përveç gabimeve individuale, stafi teknik ka vërejtur vështirësi në menaxhimin e momenteve të caktuara të ndeshjeve, rënie të intensitetit dhe vendime të gabuara në leximin e lojës.
Një pjesë e këtyre problemeve lidhet edhe me moshën e re të shumë futbollistëve të ekipit.
Flick organizon “barbecue” për ta bashkuar skuadrën
Për të shmangur që dy humbjet të shndërrohen në një krizë më të thellë, Flick e ka zgjedhur një mënyrë ndryshe nga puna e zakonshme në fushën e stërvitjes.
Trajneri gjerman organizoi një mbrëmje të përbashkët me futbollistët dhe stafin teknik në qendrën stërvitore të klubit.
“Barbecue” e kishte si qëllim forcimin e unitetit brenda grupit, por edhe diskutimin e hapur të problemeve të shfaqura në ndeshjet e fundit.
Gjatë takimit, disa prej liderëve të dhomave të zhveshjes, përfshirë Raphinhan dhe Rodrin, e morën fjalën për t’i motivuar bashkëlojtarët dhe për t’i nxitur që të reagojnë.
Diskutimi ishte i drejtpërdrejtë. Lojtarët i analizuan gabimet e bëra në sfidat e fundit, duke u ndalur te rënia e agresivitetit në presing dhe pasaktësitë gjatë ndërtimit të aksioneve.
Barcelona kërkon reagim në fushë
Objektiv i Flickut është që Barcelona të rikthehet te rezultatet pozitive pa humbur besimin dhe sigurinë e krijuar gjatë javëve të para të sezonit.
Brenda skuadrës vazhdon të ekzistojë bindja se grupi ka cilësinë dhe potencialin e nevojshëm për të konkurruar në nivelet më të larta dhe për të luftuar për të gjithë trofetë.
Megjithatë, fjalët dhe takimet jashtë fushës duhet të shoqërohen me rezultate.
Ndeshjet e ardhshme ndaj Alavesit, Aston Villas dhe Atletico Madridit do të jenë një provë e rëndësishme për Barcelonën e Flickut.
Trajneri gjerman shpreson që takimi i organizuar me skuadrën të shërbejë si pikënisje për rikthimin e besimit dhe përmirësimin e problemeve që u bënë të dukshme ndaj PSG-së dhe Real Madridit.






