Barcelona me ofertë të fundit për Alvarezin drejt Atleticos, vendos ultimatum

- Advertisement -

Barcelona nuk ka hequr dorë nga transferimi i Julian Alvarezit, pavarësisht vështirësive të mëdha që po has në negociatat me Atletico Madridin.

Pas largimit zyrtar të Robert Lewandowskit në fund të sezonit të kaluar, drejtuesit katalanas janë në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë për të mbushur boshllëkun e lënë nga polaku.

Barcelona ka paraqitur tashmë një ofertë fillestare prej 100 milionë eurosh, ndërsa presidenti Joan Laporta ka bërë të qartë se klubi nuk do të presë pafundësisht për këtë transferim.

Nga ana tjetër, Atletico Madridi vazhdon të këmbëngulë se nuk ka ndërmend ta shesë sulmuesin argjentinas, pavarësisht dëshirës së lojtarit për t’u larguar.

Drejtori ekzekutiv i klubit, Miguel Ángel Gil Marín, e bëri të qartë së fundmi qëndrimin e Atleticos.

“Nuk e pranuam ofertën prej 100 milionë eurosh dhe nuk do ta pranojmë as një ofertë prej 150 milionë apo 200 milionë eurosh”, deklaroi ai.

Sipas gazetarit Santi Ovalle në emisionin “El Larguero” të radios “Cadena SER”, Barcelona po përgatit një ofertë të re, edhe pse ajo nuk do të dorëzohet menjëherë.

Raportohet se oferta e radhës do të jetë mes 120 dhe 130 milionë euro, pasi katalanasit nuk dëshirojnë të arrijnë shifrën prej 150 milionë eurosh.

Sipas të njëjtit raportim, Barcelona ka vendosur datën 31 korrik si afatin e brendshëm për të mbyllur marrëveshjen.

Nëse transferimi nuk realizohet deri atëherë, drejtori sportiv Deco pritet të heqë dorë nga Alvarez dhe të përqendrohet te objektiva të tjerë, për të cilët puna ka nisur tashmë.

Ndërkohë, Atletico Madridi i ka bërë të ditur Julian Alvarezit se ai duhet t’i bashkohet skuadrës në fazën përgatitore më 10 gusht, pas përfundimit të angazhimeve me Argjentinën në Kupën e Botës 2026.

Julian Alvarez mbetet objektivi kryesor i Barcelonës për repartin ofensiv gjatë kësaj vere, por koha për të finalizuar marrëveshjen po mbaron.

Të ngjashme

Të fundit