8.3 C
New York
Thursday, March 28, 2024

Buy now

Banorët në veri: “Gjithçka është shkatërruar”

- Advertisement -

Vërshimet në Kosovë dhe dalja e lumenjve nga shtrati sollën probleme të shumta për qytetarët edhe në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

Ismet Zaimoviq nga komuniteti boshnjak jeton në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai është një prej banorëve të shumtë të kësaj komune, të cilëve iu përmbytën shtëpitë, duke iu shkaktuan dëme të mëdha.

Ky 83-vjeçar, gjatë gjithë jetës së tij ka jetuar pranë urës së re të Lumit Ibër që gjendet afër vendit të njohur si Shkëmbi i Dudës. Por, ai tha se situatë të tillë, të shkaktuar nga reshjet, nuk ka parë në dhjetëra vite.

“[Vërshime] ndodhën edhe dy vjet më parë, por kurrë nuk ka qenë kështu. Mëngjesin e sotëm zjarrfikësit na nxorën nga shtëpia. Ka shumë ujë brenda, dyshemeja është ngritur, ka dëme, frigoriferët, ngrohëset termale, gjithçka është shkatërruar”, tha Zaimoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregoi se ka gjetur strehim të përkohshëm, duke shtuar se askush deri më tani nuk ka evidentuar dëmet, pasi nuk mund të shkojë deri te shtëpia.

“Së pari, një dollap kushton 3 mijë euro dhe tani po prishet, parketi, gjithçka është shkatërruar”, tha Zaimoviq, duke kujtuar se hera e fundit kur situata kishte qenë e ngjashme kishte qenë para më shumë se 40 vjetësh.

“Qysh në vitin 1979, kur uji hyri nga dritarja”, kujtoi ai.

“Unë kam vetëm pension, nuk e di se si do t’ia bëjmë. Diga tani është duke u lëshuar në [Liqenin] Ujman, por është dashur ta bëjnë më herët, para se të ndodhte kjo”, theksoi ai.

Shtëpia e Katarina Axhançiq, nga komuniteti serb, e cila jeton në Lagjen e Boshnjakëve, është përmbytur krejtësisht. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se të enjten në mëngjes nuk ka shkuar në punë, pasi e ka vërejtur se niveli në Lumin Ibër, i cili gjendet në afërsi të shtëpisë së saj, ishte duke u rritur ndjeshëm.

“Niveli i ujit po rritej dhe Ibri filloi të dilte nga shtrati. Shpresuam se nuk do të ishte vërshim i madh. Ishte rrezik më i madh dy vjet më parë, por atëbotë uji arriti vetëm deri në oborr”, tregoi Katarina.

Në bregun e Ibrit, në Mitrovicë të Veriut, gjenden rreth 20 shtëpi. Ato nuk gjenden shumë larg lumit, por Katarina tha se kishte ndërmarrë të gjitha masat që të kishte mbrojtje para se të ndërtonte shtëpinë.

“Kemi hedhur 20 kamionë me dhe për ta ngritur nivelin, për ta bërë më të sigurt sesa ishte lartësia e oborrit tim. Shtrati i Lumit Ibër është tre metra e gjysmë më i ulët”, tha ajo.

Këtë herë, uji hyri papritur dhe shpejt në pronën e saj. Pasi vuri re se uji kishte depërtuar në banjë, brenda pak minutash në gjithë shtëpinë niveli i ujit u rrit në lartësi prej 40 centimetrash. I gjithë kati përdhes i shtëpisë së saj, ku ka dhomë dite, dhomë gjumi dhe banjë, u vërshuan.

Ajo po ashtu tha se shtëpia e saj gjendet në lartësi më të madhe sesa shtëpitë përreth, ku niveli i ujit është më shumë se gjysmë metër.

Në disa prej shtëpitë e fqinjëve të saj, niveli i ujit ka arritur në lartësinë e dritareve. Asaj iu dëmtuan të gjitha pajisjet elektroshtëpiake dhe mobilet. Megjithatë, ajo tha se është mirë me shëndet dhe kjo është më e rëndësishmja.

Katarina tha se të enjten një ekip i kryetarit të komunës paralele serbe, Aleksandar Spiriq, i ka vizituar dhe se u ka ofruar strehim të përkohshëm në konviktet e studentëve.

Katarina tha se beson se meqenëse hidrometeorologët kanë paralajmëruar reshjet e shiut, është dashur të ndërmerren masa parandaluese dhe tani është vonë, pavarësisht se janë vendosur thasë me rënë.

Në Lagjen e Boshnjakëve, vendbanim multietnik, nuk ka energji elektrike, pasi transformatorët janë nën ujë. Në ditët në vijim po ashtu është parashikuar se do të ketë reshje të shiut.

Fatmir Xhaka, një shqiptar që jeton në Mitrovicë të Veriut, po ashtu kujtoi vitin 1979 kur kishte pasur vërshime, teksa shikonte shtëpinë e tij që gjendet buzë Ibrit.

Shtëpia e tij e vjetër është vërshuar nga uji, sikurse edhe shtëpia e familjarëve të tij që banojnë aty pranë.

Megjithatë, ai u shpreh i lumtur që shtëpia që sapo ka ndërtuar nuk u vërshua. Ai tha se në shtëpinë e të familjarëve të tij, që jetojnë afër, gjithçka është shkatërruar dhe se qasja në shtëpi është e pamundur.

“Uji erdhi papritmas. Për një orë u përmbyt gjithçka. Për gjysmë ore vërshoi uji, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Gjithmonë ka ndodhur gradualisht, gjë që të lë kohë të përgatitesh dhe ne nuk e prisnim që të vinte uji kështu”, tha ai.

Të gjithë në këtë zonë thanë se para dy vjetësh, në po të njëjtën periudhë, Lumi Sitnica doli nga shtrati dhe bëri që Ibri të vërshonte. Por, tani situata është ndryshe, pasi gjendja në Sitnicë është e qetë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha më 21 janar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, situatë është e qetë, teksa shtoi se po bëhen intervenime të ndryshme në zona të caktuara.

Ndërkaq, Policia e Kosovës tha se po vazhdon monitorimin e situatës, për shkak se niveli i ujit në lumenj është ende i lartë. Ky institucion tha se nivel më i lartë i ujit është në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, që nisën më 19 janar, disa qytete të Kosovës u përballën me vërshime.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit