Bajrami: Vendimi i Kuvendit për gjendjen e jashtëzakonshme në energji nuk e përmirëson furnizimin, por i arsyeton reduktimet

- Advertisement -

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për miratimin e masave emergjente në sektorin e energjisë, duke kritikuar Qeverinë për mënyrën e menaxhimit të krizës energjetike.

Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë u mundëson institucioneve që për 60 ditë të ndërpresin furnizimin me energji elektrike, sipas saj, pa u përballur me padi eventuale për dëmet e shkaktuara nga reduktimet.

Ajo ka theksuar se ky vendim nuk garanton përmirësim të furnizimit me energji elektrike, por, sipas saj, krijon mbrojtje për KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë eventuale të qytetarëve.

Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe obligimin e ndërmarrjes Ibër-Lepenc për të prodhuar energji për Shërbimin Universal, duke vlerësuar se kapaciteti i instaluar prej rreth 30 MË nuk mund të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e situatës.

Sipas Bajramit, masat emergjente mundësojnë edhe blerjen e energjisë elektrike dhe kontraktimin e kompanive për investime e remontet në KEK, duke anashkaluar procedurat e zakonshme të prokurimit publik.

Ajo ka rikujtuar se masat emergjente në sektorin e energjisë ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për mungesën e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimet në remontet e KEK-ut, moszbatimin e Strategjisë së Energjisë dhe mungesën e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Bajrami ka vlerësuar se zgjidhja afatgjatë e krizës energjetike është ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese, duke paralajmëruar se, pa investime të tilla, kriza mund të thellohet dhe faturat e energjisë të bëhen barrë e papërballueshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit