Nasim Haradinaj ka ngritur padi kundër Gjykatës Speciale dhe të gjitha shteteve financuese të saj. Këtë padi, Haradinaj e ka bërë duke konsideruar se i janë shkelur të drejtat edhe gjatë procesit gjyqësor, por edhe gjatë mbajtjes së burgut në Hagë për 4 vjet e 3 muaj.
Avokati i Haradinajt në këtë proces, Toby Kadman, tha se këtë çështje e kanë parashtruar në Grupin e punës të OKB-së për paraburgim arbitrar, por edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kadman tha se të dyja këto institucione kanë juridiksione të ndryshme, por pjesa kryesore e argumenteve do të jetë e njëjtë lidhur me procesin dhe procedurat që u miratuan në rastin kundër z. Haradinaj dhe gjykimin e tij i cili siç thotë ai, nuk i plotësonte standardet e kërkuara për gjykim të drejtë sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Argumentet që janë paraqitur kanë të bëjnë si me procesin gjyqësor, ashtu edhe me kërkesën e z. Haradinaj për kushtet e paraburgimit dhe kufizimet që janë vendosur kundrejt tij derisa ishte në paraburgim. Besojmë se këto bien në juridiksion,veçanërisht të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe për këtë arsye kemi ushtruar këtë të drejtë për ta çuar rastin e tij në Strasburg. Dhe rasti nuk mund të ngrihet kundër shtetit të Kosovës. Kur një rast paraqitet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, rasti mund të ngrihet vetëm kundër Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës dhe atyre që janë dakorduar që t’i nënshtrohen juridiksionit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Përderisa gjykata është institucion vendor brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës, duhet të merret në konsideratë nëse kjo është në fakt një institucion i Republikës së Kosovës apo nëse ky institucion bie nën autoritetin e shteteve të tjera. Tani, natyrisht, siç e dimë, Bashkimi Evropian ka themeluar Gjykatën”, thotë Kadman.
Avokati Kadman tha se do ta përfaqësojë Nasim Haradinajn në këtë proces pa pagesë. Kjo është hera e parë që Gjykata Speciale është paditur në institucione ndërkombëtare kundër shkeljes së të drejtave dhe shkeljeve të tjera.