Avokati i Popullit në Kosovë: Do të ketë probleme në zbatimin e Ligjit për Specialen

- Advertisement -

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Specialen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas Avokatit të Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, është me shumë pikëpyetje.

Sipas tij, do të ketë probleme në zbatimin e këtij ligji.

“Jo pse unë besoj që jam autoriteti që mund ta di saktë se ku qëndron ky ligj në raport me Gjykatën e Hagës, por nga të gjitha analizat që kam vlerësuar nga të tjerët, por edhe analiza që vetë e kam bërë, rezulton se do të ketë probleme në zbatimin e këtij ligji. Është vullnet i deputetëve, vullnet i atyre që na përfaqësojnë, të vendosin se çfarë ligji do të nxjerrin. Se si do të shkojë rruga, mbetet të shihet. Jemi para një situate me shumë dilema, me shumë pikëpyetje”, deklaroi ai për Radio Dukagjinin.

Qelaj bëri të ditur se më 14 tetor do të organizojë një punëtori, ku do të trajtohen gjetjet e Avokatit të Popullit lidhur me Dhomat e Specializuara.

Ndryshimin e Ligjit për Specialen e ka kundërshtuar edhe Bashkimi Evropian, disa herë që prej votimit të tij të martën.

Në reagimin e fundit të së martës, Bashkimi Evropian ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale “është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”.

“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati i tyre aktual dhe pavarësia duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në reagimin e tyre.

Të ngjashme

Të fundit