Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga kompania Apetit SHPK, pasi në mostrat e analizuara është konstatuar prania e bakterit Salmonella Minnesota.
AUV ka bërë të ditur se konstatimi është bërë në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Sipas njoftimit, produktet për të cilat është konstatuar prania e bakterit janë të markave “Coopavel” dhe “Superfrango”, të dyja me origjinë nga Brazili.
Pas rezultateve laboratorike, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të këtyre produkteve, vendosjen e tyre nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu.
Salmonella Minnesota është një bakter që mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes së mishit.
Ndërkohë, kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë për verifikimin e të gjithë sasisë së importuar, përfshirë gjurmueshmërinë e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe ato që kanë mbetur në stok.
Po ashtu, AUV do të verifikojë etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes dhe do të kryejë analiza shtesë laboratorike.
Sipas AUV-së, operatori ekonomik është përgjegjës për sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve, tërheqjen e tyre nga tregu dhe informimin e konsumatorëve.
Agjencia ka bërë të ditur se do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin e tyre nëse vlerësohet e nevojshme.
AUV ka paralajmëruar se do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme.






