Auditimi në MPJD zbulon shkelje në prokurim dhe tejkalim mandatesh në misionet diplomatike

- Advertisement -

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2025, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke identifikuar një sërë mangësish dhe shkeljesh në fushën e prokurimit, menaxhimit të kontratave dhe administrimit të personelit diplomatik.

Sipas raportit, auditimi ka rezultuar me 14 rekomandime, prej të cilave 12 janë të reja, një pjesërisht i zbatuar dhe një i përsëritur, transmeton IndeksOnline.

Auditorët kanë evidentuar dobësi në raportimin financiar, prokurimin publik, menaxhimin e pasurive dhe raportimin e detyrimeve.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me një aktivitet prokurimi për renovimin dhe riorganizimin e bodrumit të MPJD-së, me vlerë prej 359,638 euro.

Auditori ka konstatuar se në paramasë dhe parallogari janë specifikuar marka tregtare dhe emra të prodhuesve të caktuar, pa arsyetimin e kërkuar ligjor dhe pa përdorimin e formulimit “ose ekuivalent”, siç kërkohet nga legjislacioni i prokurimit publik.

Sipas ZKA-së, kjo praktikë mund të kufizojë konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.

Raporti evidenton gjithashtu mosrespektim të procedurave të prokurimit nga disa misione diplomatike dhe konsullore. Në tri raste, misionet nuk kishin hartuar specifika teknike dhe nuk kishin siguruar tri oferta, siç kërkohet nga udhëzimet në fuqi.

Ndër çështjet më të ndjeshme të evidentuara nga ZKA është edhe tejkalimi i afatit ligjor për ushtrimin e funksioneve diplomatike dhe konsullore. Raporti konstaton se në 20 misione diplomatike dhe konsullore është identifikuar personel diplomatik që ka vazhduar shërbimin përtej afateve të parapara me legjislacion.

Më poshtë mund të lexoni raportin e plotë:

 

Të ngjashme

Të fundit